Avni Bytyçi, pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, ka deklaruar se në procesin në Hagë ka munguar prania e shtetit të Kosovës. Ai ka kërkuar që institucionet të marrin përgjegjësi tashti kur ka një aktgjykim dënues për katërshen e UÇK-së.
“Në dallim prej Kroacisë, në Hagë ka munguar prezenca e shtetit të Kosovës. Besoni, nuk e tham për kritikë, por ky është realiteti. Të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara kanë qenë jetimë në plotë kuptimin e fjalës”, ka thënë ai ne një shkrim në Facebook.
Bytyçi po ashtu ka shpjeguar se në Hagë kishte katër ekipe mbrojtëse, nga një për secilin të akuzuar, pasi sipas tij, rregullat e gjykatës nuk lejonin që katër të akuzuarit të kishin nje ekip.
Ai shtoi se ndarja e ekipeve nuk ka penguar koordinimin gjatë procesit gjyqësor.
“Nga procedura paraprake deri tek shpallja e aktgjykimit, ekipet mbrojtëse, edhe pse në letër të ndara, kanë ndër vepruar si një ekip”, ka shkruar anëtari i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit.
Sipas Bytyçit, mbrojtja ka harmonizuar parashtresat, ankesat, hetimet dhe intervistimet. Bashkëpunimi, ka shtuar ai, është shtrirë edhe në strategjinë e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Ai ka shpjeguar se, kur një dëshmitar ngarkonte njërin të akuzuar, ekipet e tjera përqendroheshin te çështjet e përbashkëta. Sipas tij, kjo i mundësonte mbrojtjes përkatëse më shumë kohë për të mbrojtur klientin e saj.
Bytyçi ka theksuar gjithashtu se zhvillimet dhe deklaratat jashtë Hagës nuk kanë ndikuar në këtë bashkëpunim.
“Për ekipin tonë, në parim e në veprim, tre të tjerë të akuzuar nuk kanë dalluar nga Kadri Veseli”, ka deklaruar ai.
Krahas sqarimeve për funksionimin e mbrojtjes, Bytyçi ka ngritur shqetësimin për angazhimin shtetëror në këtë proces.
Sipas tij, qëndrimet e politikanëve rreth votimit të ligjit nuk e ndryshojnë detyrimin shtetëror ndaj qytetarëve që gjykohen jashtë vendit.
“Është ndoshta momenti i fundit që Kosova si shtet të marrë përgjegjësi në këtë proces. Çfarëdo lloji tendence për ta politizuar këtë çështje, përçarë e fajësuar njërën palë, është tendencë e fshehur për të mbështetur aktgjykimin skandaloz të Dhomave të Specializuara, që, në kundërshtim me çdo standard të drejtësisë, kanë vendosur që ta kriminalizojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për interesa politike të shteteve sponsorizuese të saj”, ka shkruar ai.














