Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, analisti politik Mazllum Baraliu ka kërkuar që institucionet të veprojnë pa vonesa të tjera.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë punën, ndërsa zgjedhja e Presidentit dhe çështjet tjera institucionale duhet të trajtohen përmes një marrëveshjeje politike.
Baraliu ka thënë se seanca e Kuvendit duhet të thirret sa më shpejt për të përmbyllur edhe zgjedhjen e nënkryetarit të mbetur nga radhët e PDK-së.
“Sa i përket Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur do të duhej thirrej seanca, vazhdimi i seancës, dhe të zgjidhet edhe nënkryetari i fundit, i pesti me radhë, që është i përfaqësuar nga Partia Demokratike”, ka deklaruar Baraliu.
Ai ka komentuar edhe pjesën e aktgjykimit që lidhet me Qeverinë, duke e cilësuar si kontradiktor qëndrimin se Kuvendi është konstituuar jashtë afatit, ndërsa zgjedhja e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën.
“Ndërkaq sa i përket qeverisë, paska dhënë një mendim që është në fakt kontradiktor, sepse zgjedhja e qeverisë është thjesht derivat i Kuvendit, i punës së Kuvendit dhe aktivitetit të Kuvendit. Në qoftë se Kuvendi është zgjedhur jashtë afatit, atëherë dhe qeveria ish dashur të jetë diskutabile se a është në bazë kushtetuese apo jo”, ka thënë ai.
Megjithatë, Baraliu ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është obligativ dhe se institucionet duhet ta zbatojnë atë pa vonesa.
“Mirëpo megjithatë, mendimi dhe qëndrimi e vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thjesht obligativ për të gjithë. Ne jemi në emergjencë kombëtare dhe do të duhej që domosdoshmërisht dhe urgjentisht, pa vonesë të zbatohen kërkesat e rekomandimet e kësaj gjykate dhe t’i kemi, të konstituohet Kuvendi. Qeveria në rregull qenka legjitime, dhe presidenti të zgjidhet në afat në mënyrë që të mos kemi shkelje dhe probleme pastaj siç ka thënë Gjykata Kushtetuese, siç e dimë të gjithë edhe ne”, është shprehur Baraliu.
Sipas tij, krahas përmbylljes së proceseve institucionale, partitë politike duhet të arrijnë edhe një konsensus për reagimin ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Dhe të ketë një thjesht konsensus kombëtar të gjitha partive dhe jo vetëm partive parlamentare që thjesht një rezolutë Kuvendi ta nxjerrë lidhur me vendimin tepër të dëmshëm të fundit të Gjykatës Speciale lidhur me djemtë tanë, pra çlirimtarët atje në Hagë”, ka deklaruar ai.
I pyetur se kush duhet të ndërmarrë hapin e parë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit dhe nëse iniciativa duhet të vijë nga partia fituese e zgjedhjeve, Baraliu ka thënë se zgjidhja, sipas tij, duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë.
“Po pra, do të duhej të ketë marrëveshje në pako, edhe formimi gjegjësisht konstituimi i Kuvendit, vazhdimi i punës së qeverisë dhe zgjedhja e presidentit, edhe ligji, pra të përkrahet ndryshim-plotësimi i ligjit, projektligjit për Gjykatën Speciale që është përgatitur nga Partia Demokratike”, ka thënë Baraliu.
Ai ka kërkuar që krahas këtyre çështjeve të ndërtohet edhe një qasje e përbashkët institucionale e politike.
“Të gjitha këto dhe krahas këtyre një rezolutë në Kuvend, një strategji e përbashkët për veprim në të gjitha dimensionet, edhe në aspektin juridik, edhe politik, edhe diplomatik, edhe lobistik do të duhej të ndërmerreshin me urgjencë dhe sa më shpejt tash pasi e kemi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Baraliu ka argumentuar se këto hapa duhet të ndërmerren pa vonesa, duke e lidhur këtë me situatën që, sipas tij, është krijuar pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara.
“Për arsye se po them jemi në emergjencë kombëtare dhe duhet kryer këto punë pa vonesë në mënyrë që t’i përballemi me goditjet që ia ka dhënë Bashkimit Evropian, themeluesit e kësaj gjykate, dhe bashkësia ndërkombëtare e Kosovës padrejtësisht duke dëmtuar dhe rrezikuar edhe themelet e shtetit”, ka shtuar Baraliu.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesat e deputetëve të PDK-së, duke konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në aktgjykimin e publikuar më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjithashtu se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me Kushtetutën.
Kërkesat kishin të bënin me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, vendimit procedural për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstatimit për konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit, si dhe vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.
Në vendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, të përcaktuar me nenin 66 të Kushtetutës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, kur posti është vakant, dhe për zgjedhjen e Qeverisë, sipas dispozitave përkatëse kushtetuese.
Ndërkaq, sa i përket Qeverisë së Kosovës, Kushtetuesja ka konstatuar se Vendimi nr. 11-V-007, i 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Një nga konstatimet e Gjykatës lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e PDK-së për përfaqësimin në kryesinë e Kuvendit. Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 të Kushtetutës.
Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.
Në fund, Gjykata ka bërë të ditur se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.












