Familja e Idriz Rrecaj, ka njoftuar se e pamja dhe ceremonia e varrimit do të organizohen pasi të përfundojnë procedurat në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Njoftimin e ka bërë djali i tij, Shpëtim Rreci, përmes një postimi në Facebook.
“Ju njoftojmë se ende nuk është hapur e pamja për prindin tim, Idriz Rrecaj – Hero i Kosovës”, ka shkruar Rreci.
Ai ka bërë të ditur se familja do ta njoftojë publikun me kohë për datën dhe orën e varrimit, si dhe për hapjen e së pames.
“Ju bëjmë me dije se, derisa të përfundojnë procedurat e nevojshme nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, nuk do të hapet e pamja dhe nuk do të zhvillohet varrimi”, ka shkruar Shpëtim Rreci.
Ai ka falënderuar familjarët, miqtë dhe qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë familjes gjatë këtyre ditëve.
“Ju falënderojmë nga zemra për mirëkuptimin, durimin dhe mbështetjen tuaj në këto ditë të rëndësishme dhe emocionalisht të vështira për familjen tonë”, thuhet në njoftim.
Idriz Rrecaj ishte një nga viktimat e njohura si pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, eshtrat e të cilëve u gjetën së fundmi në varrezën masive në Zubin Potok.













