Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bllokada në Kuvend ka pamundësuar miratimin e disa ligjeve të nevojshme për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Kurti i bëri këto deklarata në mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e tij si Komitet Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për zbatimin e reformave, projektet ekzistuese dhe programet IPA.
Ai tha se deri më 30 qershor janë zbatuar dhe raportuar te Komisioni Evropian 20 hapa të reformave, në vlerë prej 153.3 milionë eurosh.
“Kështu që po e hap mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian në funksionin e tij si Komiteti Drejtues për Planin e Rritjes, e në të cilin do të diskutojmë për ecurinë e zbatimit të reformave, për gjendjen e projekteve ekzistuese, si dhe të programeve IPA. Më 15 korrik i kemi dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e agjendës të reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te Komisioni Evropian 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153.3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht Komisioni Evropian është duke kryer vlerësimin, e pas vlerësimit Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, tha Kurti.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se në fillim të javës së ardhshme në Kuvend do të përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, përmes të cilave, sipas tij, Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.
“Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, e ku përfshihen dy amendamente për projektet nga IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe marrëveshja financiare IPA 2026-2027, nga të cilat Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro. Presim nga Zyra Ligjore dhe Ministria e Financave të përfundojnë pa vonesa opinionet që u kërkohen. Marrë së bashku, nga Plani i Rritjes dhe IPA janë mbi 400 milionë euro që Kosova do të përfitojë për qeverisje të mirë e zbatim të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Kurti tha se nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, gjashtë nuk janë zbatuar në kohë, duke bërë që Kosova të mos përfitojë mbi 40 milionë euro.
“Në anën tjetër, siç jeni njoftuar edhe nga koordinatori kombëtar, nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, 6 nuk kanë arritur që të zbatohen në kohë. Për rrjedhojë, nga vlera prej 90.7 milionë euro e paraparë për afatin e qershorit, nuk u përfituan mbi 40 milionë euro”, tha ai.
Sipas Kurtit, arsyeja e mos-përfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila ka pamundësuar miratimin e ligjeve. Ai tha se projektet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e radhës të Kuvendit.
“Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve.
Megjithatë, të gjitha projektet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e rradhës të Kuvendit.
Pra, nga bllokada në Kuvend nuk dështon arritja për realizimin e reformave të parapara në Planin e Rritjes dhe puna e mirë e qeverisë, por do të humbin mjetet e dedikuara për to” tha Kurti.
Kryeministri tha se fokusi tash duhet të jetë te 22 reformat që kanë afat deri në fund të dhjetorit, të cilat kanë një vlerë prej 131.4 milionë eurosh në fondet e BE-së.
“Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit të sivjetmë, në vlerë prej 131.4 milionë euro në fondet e BE-së. Mbi 1/3 e këtyre reformave, apo saktësisht 8 sosh, kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026. Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në Qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projektligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat sa më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humbin. Pra po e përsëris që për shkak të bllokadës në Kuvend nuk do të humbet asnjë reformë e paraparë, por do të humbin mjetet e dedikuara nga Plani i Rritjes për reforma”, tha Kurti.
Në fund, Kurti theksoi përgjegjësinë e Kuvendit në funksionimin e institucioneve dhe miratimin e ligjeve.
“Kuvendi është pushtet i ndarë nga Qeveria, është një nga tri shtyllat e pushtetit në shtet demokratik. Përgjegjësia kryesore e Kuvendit është kalimi i ligjeve dhe mbikëqyrja e Qeverisë. Për të kryer këtë funksion Kuvendi duhet të jetë funksional. Ne jemi shoqëri me pluralizëm shoqëror dhe politik dhe për Kuvendin, si institucioni më i lartë përfaqësues e ligjvënës, kemi përgjegjësi të përbashkëta”, tha ai./eo/













