Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka publikuar pamje nga protesta e mbajtur sot në Shkup në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është zhvilluar një marshim paqësor, me thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot në Shkup, njëjtë si në Prishtinë dhe në qytete të tjera, u mbajtën marshime paqësore e protestuese në mbështetje të çlirimtarëve dhe me një kërkesë të qartë: Liri për çlirimtarët! Liri për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, shkroi Ahmeti.
“Ata që luftuan për lirinë e Kosovës nuk mund të gjykohen mbi akuza të fabrikuara dhe narrativave të ndërtuara nga Beogradi e Moska”, shkroi ai.
Kreu i BDI-së tha se drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në një proces të drejtë.
“Drejtësia duhet të mbështetet në të vërtetën, në fakte dhe në një proces të drejtë. Sot, zëri i mijëra qytetarëve nga Shkupi, Prishtina dhe qytetet tona ishte një: drejtësi për çlirimtarët dhe liri për ata që luftuan për lirinë tonë”, shkroi Ahmeti.















