Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk ka informacion nëse po zhvillohet ndonjë takim mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
E pyetur nëse do të ketë takime të reja mes Kurtit dhe Abdixhikut dhe nëse është duke u diskutuar për ndonjë kandidat të mundshëm për president, Bajrami tha se nuk ka informacion dhe se nuk dëshiron të bëjë supozime.
Ajo, megjithatë, tha se nëse LDK-ja do të ketë kandidatë për president, ajo do t’i mbështesë me votë.
“Për besë nuk kam asnjë informacion. Prej seancës dola, nuk kam informacion. Nuk kemi diskutuar, asnjë informacion s’kam. S’kam çfarë t’ju them. Për besë nuk mund të presupozoj tash. Nëse ka kandidatë të LDK-së, unë votoj po”, tha ajo.
Bajrami ishte në mesin e deputetëve të LDK-së që nuk e mbështetën kandidaturën e fundit të propozuar për president, Bekim Sejdiun.














