Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Pse është i vështirë ndryshimi i Ligjit për Specialen dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte

30/09/2026 - 17:51
në Kryesore, Lajme
A A
Pse është i vështirë ndryshimi i Ligjit për Specialen dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në Kosovë janë shtuar përpjekjet për ta ndryshuar një ligj, mbi bazën e të cilit Kuvendi i shtetit e themeloi para një dekade një gjykatë në Hagë, e cila, në shkallë të parë, i dënoi për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Por, arritja e këtij qëllimi është shumë më e vështirë sesa mund të duket, paralajmërojnë ekspertë juridikë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Nisma për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE), është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti, përcjell A2.

Para se të mundë të arrijë në Kuvendin e Kosovës për votim, kjo iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjektit më të madh opozitar, duhet ta marrë pëlqimin e Qeverisë dhe t’i kalojë komisionet parlamentare.

Derisa kalimi i këtyre hapave mund të jetë i lehtë, mënyra e arritjes deri tek ndryshimet në këtë ligj, dhe ndikimi eventual i tij pastaj, janë ato çfarë e bëjnë tejet të ndërlikuar çështjen.

Zotimet ndërkombëtare dhe letërkëmbimi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë dhe kompetencë për të iniciuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – por, para se ta bëjnë këtë, ata duhet të sigurohen që nuk i shkelin zotimet ndërkombëtare të Kosovës, thotë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Miftaraj thekson për REL-in se “ndryshimi i ligjit nuk guxon t’i cenojë obligimet që ka marrë Kosova në bazë të Nenit 162 të Kushtetutës”, dhe se “çdo plotësim-ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Kosova”.

Përmes një shkëmbimi letrash në prillin e 2014-s mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton, Kosova mori një sërë zotimesh lidhur me Dhomat e Specializuara.

Shkëmbimi i këtyre letrave ishte në thelb marrëveshja që e krijoi atë që sot në Kosovë njihet si Gjykata Speciale.

Ndër zotimet që mori Kosova asokohe ishte edhe të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Miftaraj thotë se, që këto ndryshime të kenë ndikim dhe të jenë të zbatueshme në praktikë, Kosova së pari duhet të bashkëpunojë me shtetet kryesore të Këshillit të BE-së apo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këtë nismë.

As PDK-ja, dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse kanë konsultuar shtetet e BE-së, apo vetë Dhomat e Specializuara për ndryshimet e propozuara.

Kryeministri Kurti, i pyetur për këtë nismë, tha më 30 shtator se zyra e tij ligjore e ka marrë propozimin, dhe se po e shqyrton atë, ndërsa do t’i kthejë Kuvendit përgjigje më vonë gjatë javës.

“Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë. Mandej do
t’ia japim përgjigjen Kuvendit, dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, tha Kurti, pa dhënë hollësi të tjera.

Nuk është e qartë nëse Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, gëzon shumicën në Kuvend, do t’i mbështesë këto ndryshime të iniciuara nga PDK-ja.

Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) nuk deshi të komentonte kur u pyet nga REL-i se si do t’i shpjegonte në aspektin juridik ndryshimet e synuara.

“Kosova s’mund ta ndryshojë këtë gjykatë”

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, tani në pension, thotë për REL-in se Kosova nuk mund të ketë ndikim me një nismë të tillë mbi Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai e përshkruan Specialen si një gjykatë me tiparet e një gjykate ndërkombëtare penale, njëlloj sikurse çdo tribunal ndërkombëtar i Hagës, dhe thotë se Kosova e as ligji i saj nuk kanë autoritet mbi të.

“Kjo gjykatë i ka kompetencat e një gjykate penale ndërkombëtare, dhe i vetmi element i Kosovës në këtë gjykatë është se u themelua me ligjin e Kosovës. Madje, edhe arkivi i kësaj gjykate do të vazhdojë të ruhet në Hagë, nuk do t’i jepet Kosovës”, thekson Salihu.

Ndër ndryshimet e synuara është edhe juridiksioni i Speciales. Pra, të ngushtohet në mënyrë drastike fusha e veprimit të saj – ajo çfarë mund të hetojë dhe të gjykojë.

Po ashtu, kërkohet që rastet që do të konsideroheshin jashtë juridiksionit, të barteshin te gjykatat dhe prokuroria në Kosovë, dhe që palët të mund të ankoheshin në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.

Dhe, gjithashtu, që dënimi maksimal të bëhej burgimi prej 15 vjetësh, që dënimi të vuhej në Kosovë dhe që presidenti të mund t’i falte të dënuarit.

Megjithatë, secili nga këto ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara është subjekt i vlerësimit të ligjshmërisë nga ana e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, të cilët vendosin ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shpjegon Miftaraj.

REL-i kontaktoi Dhomat e Specializuara të Kosovës, për t’i pyetur nëse janë konsultuar në lidhje me ndryshimet e propozuara në ligj, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Miftaraj tregon se është Gjykata Kushtetuese në Hagë, jo ajo e Kosovës në Prishtinë, e cila vendosë përfundimisht nëse këto ndryshime janë të pranueshme apo jo.

Për këtë, thotë ai, ka garantuar Kuvendi i Kosovës, përmes amendamentit kushtetues 162.

Shembulli më i mirë për këtë është rasti i vitit 2020.

Asokohe ishin propozuar ndryshime në Nenin 162 të Kushtetutës, dhe kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani, nuk ia dërgoi ato Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë, por Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

Kushtetuesja në Hagë kishte ardhur në përfundim se, sipas Nenit 162(3), vetë ajo kishte juridiksion ekskluziv për vlerësimin e amendamenteve, sepse ato kishin të bënin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mungesa e reagimit nga ndërkombëtarët

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, i ish-kryetarit tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe i ish-deputetit Rexhep Selimi me 13, është kundërshtuar gjerësisht në Kosovë.

Që të katërtit udhëhoqën luftën e UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe në vitet 1998-1999, dhe shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës.

Për shumë shqiptarë, gjykata e cilësoi UÇK-në si një organizatë të përbashkët kriminale, megjithëse vetë kryetari i trupit gjykues nguli këmbë disa herë në shqiptimin e aktgjykimit se Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi u gjykuan dhe dënuan për përgjegjësi individuale, dhe jo lufta e UÇK-së për liri.

Ndryshimet e synuara në këtë ligj tani vijnë gati një dekadë pasi Kosova kishte tentuar ta zhbënte tërësisht ligjin.

Asokohe, ambasadat e huaja në Kosovë, përfshirë atë të SHBA-së, kishin reaguar ashpër ndaj asaj përpjekjeje.

Miftaraj thotë se mungesa e reagimit nga ndërkombëtarët tani për këtë nismë nuk nënkupton se partnerët e Kosovës kanë ndryshuar qasje për Gjykatën Speciale.

Sipas tij, qëllimi i atëhershëm ishte shumë më radikal sesa nisma e tanishme.

“Sot, gati 10 vjet pas, iniciativa e PDK-së për ndryshim të ligjit dhe kufizim të juridiksionit të gjykatës është ende në fazë të hershme, dhe me pasoja skajshmërisht më të kufizuara se iniciativa e vitit 2017”, thekson ai.

“Për më tepër, në atë kohë iniciativa vinte nga partnerët e koalicionit në qeveri, dhe me mundësi praktike për të arritur qëllimin për shfuqizimin e gjykatës, përderisa sot partia në pushtet shihet qartazi se nuk e mbështet një iniciativë të tillë. Andaj, edhe partnerët, pa parë ndonjë efekt juridik, mund edhe të mos reagojnë njëjtë si para 10 vjetëve”, përfundon Miftaraj.

OSE

JU REKOMANDOJMË

Presidentja Shiroka Pula përfaqëson Kosovën në Samitin e liderëve të rajonit Brdo-Brijuni në Ohër

Presidentja Shiroka Pula përfaqëson Kosovën në Samitin e liderëve të rajonit Brdo-Brijuni në Ohër
26/11/2026 - 17:08

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka udhëtuar për në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e liderëve të rajonit,...

Më shumëDetails

Çka thuhet në aktakuzën ndaj Arberita Mehmetaj, Fadile Dyla, Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Naim Demiri që dyshohen për dallavere me tender

Çka thuhet në aktakuzën ndaj Arberita Mehmetaj, Fadile Dyla, Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Naim Demiri që dyshohen për dallavere me tender
26/11/2026 - 16:43

Në tetor të këtij viti, Ministria e Arsimit ka pezulluar nga puna shtatë zyrtarë të saj. Pesë prej tyre janë të përfshirë në një aktakuzë të ngritur nga...

Më shumëDetails

Qeveria mban mbledhje elektronike, miraton gjashtë vendime

Kurti para vendimit të Speciales: UÇK-ja bëri luftë çlirimtare, shpresojmë që drejtuesit të kthehen të lirë
26/11/2026 - 16:40

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar gjashtë vendime që lidhen me programin legjislativ, emërimet në pozita të larta...

Më shumëDetails

“Provo t’i mbash mendtë diku tjetër, ndoshta të ndihmon”, Kurti i përgjigjet Rrahmanit rreth orientimit seksual

“Provo t’i mbash mendtë diku tjetër, ndoshta të ndihmon”, Kurti i përgjigjet Rrahmanit rreth orientimit seksual
26/11/2026 - 16:29

Kryeministri Albin Kurti, dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, janë përfshirë në një debat sot në seancën e Kuvendit. Përplasja nisi pasi Rrahmani...

Më shumëDetails

“Nënshkrimet janë mbledhur”, Vlora Çitaku ndan detaje për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Çitaku thotë se PDK-ja ka ofruar zgjidhje, por LVV-ja nuk do bashkëpunim
26/11/2026 - 16:05

Ushtruesja e detyrës së kryetarit të PDK’së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka thënë se nisma e re për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale së...

Më shumëDetails

Limaj mohon ambiciet për kreun e PDK-së: Tema kryesore është Apeli në Hagë

Limaj: Kosova mund të humbasë rastin e Banjskës në tavolinën diplomatike
26/11/2026 - 15:09

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se s’ka ambicie për t’u bërë Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se tema kryesore për të është...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Aksion i madh i Policisë, FIT-it dhe AKI-së në Prishtinë, arrestohen 3 persona dhe sekuestrohet pasuri mbi 1 milionë €

    Aksion i madh i Policisë, FIT-it dhe AKI-së në Prishtinë, arrestohen 3 persona dhe sekuestrohet pasuri mbi 1 milionë €

    107 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • “E di se kush ia ka vrarë babën”, Besian Mustafa i përgjigjet Xhavit Halitit

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Çka ndodhi në seancën që përfundoi me përleshje fizike në Kuvendin e Mitrovicës, flet Safet Kamberi

    98 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 25
  • Aksion policor në “Marigona Hill”, tre persona përfundojnë në pranga për mashtrime me kartela

    94 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Çfarë bëri vjehrra në momentin e vr’asjes? Avokati zbulon detaje ekskluzive se çfarë bëri Nurije Sylaj në ato momente

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë