Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, në protestën masive të sotme në Prishtinë, ka kërkuar drejtësi të bazuar në prova dhe veprime konkrete institucionale për mbrojtjen e UÇK-së.
Në fjalimin e tij, Haziri iu drejtua veçanërisht rinisë, ndërsa kujtoi babain e tij, Xhavit Hazirin, i cili mungon që nga viti 1998 dhe për fatin e të cilit familja ende pret përgjigje.
“Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem! Hallall ju qoftë! Sepse kur ju shoh të lirë, në këmbë, duke mos harruar prej nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton te ju”, tha Haziri.
Ai theksoi se data e protestës, 1 tetori, ishte zgjedhur për të kujtuar qëndresën e studentëve që, 29 vjet më parë, dolën në rrugë për universitetin, dinjitetin dhe lirinë.
“Sepse mund ta ndalësh një marsh, por nuk mund ta ndalësh një popull kur vendos të ngrihet! 29 vjet më vonë, ne jemi përsëri në këto rrugë. Në një Kosovë tjetër. Në një Kosovë të lirë. Për një arsye tjetër. Por me një përgjegjësi që nuk ka ndryshuar: të mos heshtim”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar brezit të pasluftës, Haziri tha se liria që gëzon sot rinia lidhet me sakrificën e familjeve të saj.
“Ju nuk e keni parë luftën me sytë tuaj, por jeni rritur me lirinë që doli prej saj. Në shumë prej shtëpive tuaja, historia nuk është fotografi në libër. Është fotografi në mur”, tha ai.
Një pjesë të fjalimit, Haziri ia kushtoi mungesës së babait dhe dhimbjes së familjeve që ende presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
“Për shumë prej jush, Xhavit Haziri është Hero i Kombit. Për mua, është babai im. Babai që mungon që nga viti 1998. Babai të cilit ende nuk ia di varrin ku mund t’ia vendos një lule”.
“Kur e dëgjoj fjalën UÇK, shoh babain tim. Shoh shokët e tij. Shoh nënat që pritën. Shoh fëmijët që u rritën pa baballarë. Shoh varret e dëshmorëve. Shoh gjyshen time Fahrijen që ende pret një lajm për djalin e saj. Dhe shoh edhe varret që ende mungojnë”, shtoi Haziri.















