Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel.
Sipas Kurtit shqetësuese mbetet mungesa e thellë e transparencës dhe qasja tërësisht monoetnike e kësaj gjykate.
Reagimi i plotë:
Kënaqësi të mirëpres Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në shtetin tonë në po aq vite. Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj reformave dhe ka shënuar përparim të rëndësishëm demokratik e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Sikurse është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i plotëson të gjitha kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në prag të katërvjetorit të aplikimit, ne kërkojmë, por edhe llogarisim në mbështetjen e Presidentes për hapjen e procesit të anëtarësimit të bazuar në merita. Statusin e vendit kandidat Kosova e meriton.
Pesë ditë më parë, Qeveria e Republikës i miratoi 10 nga 12 ligjet, me afat qershorin, dhe i ridërgoi në Kuvend. Jam i bindur se deputetët do të veprojnë shpejt, që qytetarët e Kosovës të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes. Ajo që bllokada në parlamentin tonë mund të lërë prapa janë fondet evropiane për këto reforma.
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel. Derisa e ashtuquajtura Shtëpi e Verdhë nuk u bë as pjesë e aktakuzës, ranë pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile. Por shqetësuese mbetet mungesa e thellë e transparencës dhe qasja tërësisht monoetnike e kësaj gjykate.














