Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, është parë duke hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës pasi Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratua në lexim të parë.
Në momentin kur hyri në sallë, Geci u pa teksa e fuste telefonin nën setër, ndërsa prania e tij tërhoqi vëmendjen e kamerave.
Nuk dihet se me kë ishte duke komunikuar deputeti para se ta fshihte telefonin.
Geci është i njohur për deklaratat e tij kritike ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe qëndrimet e shprehura publikisht lidhur me dënimin e Hashim Thaçit në Hagë.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Votimi u bë në një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa jashtë Kuvendit vazhdoi protesta e iniciativës “Jo në emrin tim”, ku protestuesit kërkuan që ndryshimet ligjore të miratohen edhe në lexim të dytë./Insajderi















