Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali i ka identifikuar si “anëtarë të PDK-së” ata që tha se po sulmojnë jashtë institucioneve kryesore të shtetit.
Mihali tha se me këtë mënyrë proteste nuk zgjidhet asgjë dhe nuk i lehtësohet dënimi “dikujt”.
“O ju anëtarë të PDK që po sulmoni sot, një pjesë me vepra penale, një pjesë në ndërmarrje publike të Prishtinës, një pjesë drejtorë komunal të Prishtinës, sulmoni sa të doni drejtues të VETËVENDOSJE!s. As nuk zgjidhni gjë as nuk ia lehtësoni dikujt dënimin. Dje sulmonit me policinë e instrumentalizuar me RashitQalat me shokë sot me duart tuaja. Keq dje, keq sot. Ende nuk u mbushët mend. Madje, aq keq ju ka lënë një krah i partisë suaj saqë po paraqiteni komplet pa asnjë kuptim para krejt shqiptarëve”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Mihali tha se po “sulmohen” ata që kundërshtuan Gjykatën Speciale.
“Po sulmoni ata që e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale. Ish ushtarë të UÇK, ish të burgosur politikë, aktivistë politikë që edhe më shumë se ju e kanë kundërshtuar këtë gjykatë. Nuk po e dini që ju kanë gënjyer në 2015 po ju gënjejnë dhe tash. Prapë ata që i kanë milionat e juve çdo herë veç ju kanë përdorur. As atëherë nuk na dëgjuat as tani nuk po dëgjoni”, thuhet në postim.
Mihali tha se kështu po u “rëndohet” situata të dënuarve në Hagë.
“Kështu duke sulmuar kundërshtarët politikë pa asnjë arsye veç sa po ia rëndoni atyre që u dënuan dhe për më keq po ia forconi tezën prokurorisë speciale. Asnjë veprim i juaji nuk ka efekt te Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne bëjmë çka besojmë. E ne nuk i ndërrojmë besimet. Jo gjykatës atëherë. Jo dhe tani”, shkroi ajo.












