Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas konferencës së këtij të fundit, duke i bërë një kundërofertë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje ka qenë konsistent dhe se miratimi i ligjit në dy lexime nuk lidhet me asnjë pozitë politike apo institucionale.
Ai theksoi se çështja e presidentit ka përkuar me këtë proces, ndërsa kritikoi vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit.
“Unë jam mirënjohës, i falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit që kanë votuar pro deklaratës. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet që veç PDK-ja të flasë për një luftë të drejtë, të imponuar, çlirimtare, për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë e tjera”, tha Hamza.
Ai u shpreh se ndryshimet ligjore synojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ligji kërkon drejtësi për njerëzit që janë në këtë proces. Drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Nuk janë atje si ndonjë pjesëtar i ndonjë subjekti politik. Janë për pjesën më të ndritshme të historisë së Kosovës, luftës çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Hamza.
Hamza foli edhe për takimet me Kurtin, duke thënë se PDK-ja nuk i ka refuzuar ato, por se nuk dëshiron diskutime të përsëritura pa rezultat konkret.
“Nuk ju kom ikë takimeve, mirëpo nuk mundemi me bë seri me shumë epizoda pa rezultat. Ne jemi në orët e fundit”, tha ai.
Sipas Hamzës, pretendimi se për shmangien e procedurës nevojiten 72 orë është juridikisht i pasaktë, pasi PDK-ja, sipas tij, i është referuar nenit 123 dhe jo procedurës së përshpejtuar.
Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen për kandidaturën e Blerim Sejdiut për president, duke thënë se ajo nuk është marrëveshje me PDK-në.
“Marrëveshja për z. Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në dhe e patë se është veç ‘hajt të shesim mjegull’”, tha Hamza.
Në fund, ai iu përgjigj drejtpërdrejt ofertës së Kurtit, duke kërkuar që deputetët e LVV-së të jenë të pranishëm në sallë dhe ta votojnë ligjin.
“Atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29, po. 29 deputetë. Sjelli në sallë, qysh të dojnë le të votojnë. Po nuk shkon kështu. Nëse doni me e bë Ligjin, sjelli 29 deputetë në sallë”, deklaroi Hamza.













