Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet politike dhe çështjen e miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Haradinaj tha se Kurti, sipas tij, po punon për “ta zhbërë Kosovën”, duke e cilësuar atë si “keqbërës patologjik”, shkruan Insajderi.
“Po don me ia dhanë edhe një goditje Kosovës. Ky po punon me e zhbë Kosovën. Të tillë çfarë e kemi dhe e kemi mrri me shumë mund, e me vuajtje të madhe. Nuk ka me ia arritë. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik, i cili kthehet në vazhdimësi në veprat e tij të këqija për vendin”, deklaroi Haradinaj.
“Ne si Aleancë kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi munu me e shtri dorën… Kjo çka po ndodh është e pafalshme, si për historinë dhe si për të gjithë ata që e dojnë Kosovën”, tha ai.
Haradinaj foli edhe për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vënë në pah se ai tashmë është votuar në lexim të parë nga 91 deputetë.
“91 deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë votu në lexim të parë ligjin. Tani, ky ligj është i të gjithëve”, tha Haradinaj.
Sipas tij, ndërlidhja e këtij ligji me çështje të tjera politike përbën “ofendim” ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Është tepër ofenduese me bë pazare e me mundu me zë njëri-tjetrin në faj me Ligjin për UÇK-në. Ky ligj është për UÇK-në”, u shpreh ai.
Haradinaj përmendi edhe rastin e Ratko Mlladiqit në Serbi, duke e krahasuar qasjen e Serbisë ndaj tij me mënyrën se si, sipas tij, Kosova po trajton çështjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“E patë në Serbi, Serbia nderoi Ratko Mlladiqin e që është i dënum me verdikt final për gjenocid. Ne fshehemi skutave dhe nxjerrim kushte për të ndihmu një ligj për të drejtën tonë”, deklaroi Haradinaj.














