Kryeministri Edi Rama ka marrë sërish me vete një gur gjatë takimit me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe 25 drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës, për të argumentuar rrezikun që, sipas tij, paraqesin aktet e dhunës gjatë protestave.
Rama deklaroi se një gur i hedhur drejt efektivëve të policisë mund të shndërrohet në armë dhe të shkaktojë pasoja të rënda, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të ngatërrohet me ushtrimin e dhunës.
“Kam marrë përsëri me vete këtë gur, sepse kur e mban në dorë, dhe imagjinoni peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të policisë, është një armë që mund të shkaktojë dhe një tragjedi”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, guri simbolizon kufirin mes ushtrimit të së drejtës kushtetuese për të protestuar dhe ndërhyrjes së shtetit për të garantuar sigurinë publike.
“Ky gur është objekti që ndan dy anët e kësaj historie dhe objekti që përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet, ata që duan të shkojnë në punë, shkollë dhe për të marrë në mbrojtje të ardhmen e këtij vendi”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit, e cila prej disa ditësh është bërë objekt i protestave, duke pretenduar se dhuna po përdoret për të krijuar perceptimin se lëvizja lidhet me çështjet e arsimit.
Ai theksoi se e drejta për të protestuar është një liri kushtetuese, por se aktet e dhunshme ndaj policisë nuk mund të justifikohen me këtë të drejtë.















