Duke folur në “Debat Plus” në RTV Dukagjini për paralajmërimin e tij rreth rrezikut të dështimit të organizimit të lojërave, Rama tha se më 15 tetor kanë pranuar një email nga ICMG-ja. Sipas tij, emaili, të cilin e kanë bërë publik, nxjerr në pah probleme në komunikim dhe në përmbushjen e obligimeve të Qeverisë së Kosovës ndaj komitetit.
“Tash e kemi edhe një datë të re, 19 dhjetori ku ICMG thërret edhe një takim ku vendoset se çka bëhet më tutje”, ka thënë Rama.
Ai tha se i janë përgjigjur menjëherë emailit, duke e cilësuar çështjen si serioze dhe me rëndësi ndërkombëtare.
“Është çështje serioze, nuk është hajgare, nuk është çështje që është në duart e nivelit qendror apo nivelit lokal, por është çështje ndërkombëtare, çështje e Lojërave Mesdhetare, ku Kosova, Prishtina për herë të parë, ndoshta të vetmen, ka mundësi me prezantu vetën globalisht si një nikoqir i mirëfilltë i lojërave mediterane”, ka thënë ai.
Rama akuzuar Qeverinë për neglizhencë, duke pretenduar se disa emaile të dërguara nga ICMG-ja kanë mbetur pa përgjigje.
“Kjo po neglizhohet, po shihet qartë prej emailit të ICMG-së, kundër faktit që i kanë dërgu disa emaila nuk ka pas asnjë përgjigje nga qeveria dhe si rezultat tash kjo data tjetër të cilën e ka caktu vet ICMG-ja për me diskutu rreth lojërave mediterane në Kosovë si rezultat i kësaj neglizhence”, ka thënë ai.


















