Në javën që përfundoi më 18 tetor, vendet e Gjirit Persik eksportuan 24,6 milionë fuçi naftë në ditë. Kjo shifër tejkalon nivelin prej 23,3 milionë fuçish të eksportuara para fillimit të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt, sipas të dhënave nga firma analitike Kpler.
Kjo rritje e eksporteve vjen në një kohë kur sulmet iraniane ndaj anijeve në ngushticën e Hormuzit janë bërë më të shpeshta.
Sipas të dhënave nga Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), javën e kaluar u regjistruan të paktën 12 sulme. Për më tepër, një anije kontejnerësh plotësisht e ngarkuar, në pronësi të Emirateve të Bashkuara Arabe, u mbyt në ngushticën e Hormuzit pasi u godit nga një raketë.
Trafiku përmes ngushticës së Hormuzit mbetet më shumë se një e treta më i ulët sesa ishte para luftës. Si pasojë, vendet e Gjirit po mbështeten te transferimet nga anija në anije: anije më të vogla hyjnë në gji, marrin naftë dhe e transportojnë atë te supertankerët (VLCC) që presin jashtë ngushticës. Për shkak të kostove të larta të sigurimit dhe shqetësimeve të pronarëve privatë të anijeve, ky operacion kryhet kryesisht nga kompani shtetërore të transportit detar.
Nafta saudite përmes Egjiptit
Arabia Saudite i ka rritur eksportet e saj përmes Detit të Kuq. Mbretëria më parë e transportonte naftën drejt Azisë përmes ngushticës Bab el-Mandeb, pranë Jemenit. Megjithatë, pasi Huthët vendosën një embargo ndaj anijeve saudite, Mbretëria e ridrejtoi naftën e saj përmes një tubacioni alternativ që kalon nëpër Egjipt drejt Mesdheut. Sipas vlerësimeve të Kpler, rreth 40 për qind e naftës së papërpunuar jo-iraniane nga Gjiri e anashkaluan ngushticën e Hormuzit në shtator, krahasuar me 17 për qind para luftës. Kjo kufizon ndikimin e Iranit mbi trafikun detar, vëren “Middle East Eye”.
Vendet në rajon po shqyrtojnë gjithashtu rrugë alternative të përhershme. Në korrik, Iraku — prodhuesi i dytë më i madh në OPEC — nënshkroi një marrëveshje me Sirinë për të rivënë në punë një tubacion që shtrihet nga fushat e tij të naftës në veri deri në bregdetin sirian të Detit Mesdhe. Çmimet mbeten të larta
Pavarësisht rritjes së eksporteve, çmimi i naftës së papërpunuar të llojit “Brent” vazhdon të qëndrojë rreth 109 dollarë për fuçi, ndërsa kostoja e nënprodukteve të naftës — veçanërisht e naftës “diesel” — është rritur ndjeshëm.
Një pjesë e kësaj rritjeje të çmimeve vjen si pasojë e kostove të transportit. Për shkak të rrugëve alternative, anijet kalojnë më shumë kohë në det, çka bën që në treg të ketë më pak anije në dispozicion.
Rritja e eksporteve mund të ketë gjithashtu pasoja në një kohë kur SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtojnë mundësinë e sulmeve ndaj Iranit. Të mërkurën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se është i vendosur për të rrëzuar Republikën Islamike, duke pretenduar se Teherani po e rinis programin e tij bërthamor.
Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Donald Trump shprehu mbështetjen e tij për Netanyahun në prag të zgjedhjeve izraelite. Me atë rast, ai theksoi se dëshironte që Netanyahu ta ndihmonte për ta “përfunduar punën” në lidhje me Iranin.
















