Në ditën kur Arlinda Zekaj u përcoll për në banesën e fundit, vëmendja u kthye edhe te vendimet e institucioneve që duhej ta mbronin. Në qendër të kritikave është gjyqtari i Gjykatës Themelore në Pejë, Migjen Kastrati, i cili më 16 tetor kishte caktuar masë mbrojtëse për gjashtë muaj për Zekajn.

Kastrati, i cili ushtron detyrën e gjyqtarit që nga viti 2017, kishte vendosur që bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, të mos i afrohej në një distancë më të vogël se dy metra brenda shtëpisë ku jetonin së bashku.
Ndërkaq, jashtë shtëpisë, në rrugë, në qytet apo në vendin e punës, atij i ndalohej t’i afrohej në më pak se 20 metra.
“.. në distancë prej 2 metra në shtëpinë ku është duke qëndruar tani pala e mbrojtur, në rrugë, qytet, fshat, shkollë apo vendin e punës në distancë prej 20 metra, si dhe i NDALOHET në të ardhmen të ushtroj dhunë fizike dhe psiqike, të bllokojnë lëvizjen e viktimës, ofendojnë, shqetësojnë dhe kërcënojnë palën e mbrojtur”, thuhej në aktvendim.
Ky dallim në distancat e përcaktuara ngre pikëpyetje për mënyrën se si është vlerësuar rreziku në këtë rast.
Pse brenda shtëpisë së përbashkët është konsideruar e mjaftueshme një distancë prej vetëm dy metrash, ndërsa në hapësirat publike është kërkuar distancë dhjetë herë më e madhe?
Aktvendimi përfshinte edhe detyrimin që Sylaj ta lejonte Zekajn të kthehej në shtëpinë e përbashkët në Vitomericë, si dhe t’i paguante 150 euro në muaj për ushqimin e fëmijës.
Por, sa paguhet nga taksat e qytetarëve gjyqtari që caktoi këtë masë mbrojtëse për Arlinda Zekajn?
Sipas deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2026, të dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Migjen Kastrati ka deklaruar 22,794.56 euro të ardhura vjetore neto nga paga si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë.
Kjo shumë i bie rreth 1,900 euro në muaj, të ardhura që burojnë nga ushtrimi i një funksioni publik dhe financohen nga buxheti i shtetit.
Përveç pagës si gjyqtar, Kastrati ka deklaruar edhe 244.29 euro të ardhura nga Akademia e Drejtësisë.
Në llogarinë e tij bankare ka deklaruar 2,130.56 euro kursime të krijuara nga paga.
Kastrati ushtron detyrën e gjyqtarit që nga viti 2017, që do të thotë se ka gati nëntë vjet përvojë në sistemin e drejtësisë. Pikërisht vendimi i tij për masën mbrojtëse ndaj Arlinda Zekajt tashmë është në qendër të diskutimit publik.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2026, gjyqtari ka përfshirë edhe prona të paluajtshme të trashëguara nga babai, të cilat figurojnë në pronësi të përbashkët.
Ai ka deklaruar një truall prej 1,000 metrash katrorë, me vlerë 24,376.66 euro; një pyll prej 5,069 metrash katrorë, me vlerë 7,097 euro; si dhe një livadh prej 50,000 metrash katrorë, të vlerësuar në 9,957 euro.
Në deklarim figuron edhe një shtëpi prej 120 metrash katrorë, me vlerë 21,120 euro, e ndërtuar me kontribut familjar dhe në pronësi të prindërve.
Sa u përket detyrimeve financiare, Kastrati ka deklaruar një kredi personale në Raiffeisen Bank, të marrë në shkurt të vitit 2024, në vlerë fillestare prej 20,000 eurosh.
Vlera totale e kthimit është 21,027.93 euro, ndërsa në kohën e deklarimit i kishin mbetur pa paguar 876.16 euro.
Pas gati nëntë vjetësh në sistemin e drejtësisë, vendimi i 16 tetorit ngre pyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet: si u vlerësua rreziku ndaj Zekajt, mbi çfarë arsyetimi u përcaktuan distancat prej dy dhe 20 metrash dhe si u vlerësua siguria e saj në shtëpinë e përbashkët?
Fatkeqësisht, të dielën, Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra nga kunati me sëpatë (ende në arrati), ndërsa vendimi për masën mbrojtëse të caktuar ndaj saj ka ngritur pikëpyetje të shumta për efektivitetin e mbrojtjes që iu ofrua nga institucionet, dhe jo vetëm.

















