Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, raportohet se ka kërcënuar zyrtarët policorë gjatë komunikimit me ta, duke refuzuar të dorëzohet.
Informacionin e ka bërë publik moderatori i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, i cili tha se bëhet fjalë për një informacion ekskluziv.
Sipas Pandurit, gjatë komunikimit me policinë, Sylaj ka paralajmëruar se do t’i vriste zyrtarët nëse përpiqeshin ta arrestonin.
“Nuk dorëzohem, iu vras edhe juve. I gjallë nuk dorëzohem”, citoi Panduri të ketë thënë i dyshuari.
Deri më tani, nuk dihet se kur është zhvilluar ky komunikim dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur.
Sylaj dyshohet për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Zekaj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Sipas raportimeve, viktima ishte kthyer në shtëpi vetëm pak minuta para se të vritej, pasi ishte shoqëruar nga zyrtarët policorë.
Pas rastit, Policia e Kosovës e shpalli Sylajn në kërkim, duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij.

















