Rasti i dyshuar i cenimit të konfidencialitetit bankar të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, merr një dimension të ri. Albion Ferati, ish-punonjësi i Raiffeisen Bank, emri i të cilit është lidhur me dyshimet për qasje të paautorizuar në llogarinë dhe transaksionet bankare të Ramës, aktualisht mban një pozitë drejtuese në një tjetër institucion financiar në Kosovë. Mësohet se Ferati tani është Head of Accounting në TEB Bank.
Ky informacion vjen në kohën kur Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime parahetimore për zbardhjen e dyshimeve lidhur me qasjen dhe shpërndarjen e paautorizuar të të dhënave bankare të kryetarit të kryeqytetit.
Sipas informacioneve të konfirmuara për Gazetën Sinjali, Albion Ferati aktualisht ushtron funksionin Head of Accounting në TEB Bank, një pozitë që lidhet me përgjegjësi në fushën e kontabilitetit dhe raportimit financiar.
Ky zhvillim merr rëndësi të veçantë për shkak se emri i Feratit është përmendur publikisht në lidhje me një rast që ka ngritur pikëpyetje për respektimin e konfidencialitetit bankar dhe mbrojtjen e të dhënave personale të klientëve.
Çfarë dihet për rastin në Raiffeisen Bank?
Rasti u bë publik pasi Komuna e Prishtinës njoftoi se kryetari Përparim Rama kishte paraqitur ankesë lidhur me qasjen e dyshuar të paautorizuar në llogarinë e tij bankare.
Sipas Komunës, një punonjës i Raiffeisen Bank kishte pasur qasje pa autorizim në të dhënat e Ramës dhe kishte shpërndarë informacione mbi gjendjen dhe transaksionet e tij financiare.
Komuna bëri të ditur gjithashtu se banka e kishte informuar Ramën për identifikimin dhe largimin nga puna të punonjësit përgjegjës.
Raiffeisen Bank ka konfirmuar se e ka trajtuar ankesën, ka zhvilluar procedurat e brendshme dhe ka njoftuar autoritetet kompetente, por nuk ka bërë publike rezultatet e plota të shqyrtimit të brendshëm dhe as identitetin e punonjësit.
Ndërkohë, emri i Albion Feratit është raportuar edhe nga media të tjera, duke iu referuar burimeve policore.














