Ishte viti 2022, kur Agjencia Pyjore e Kosovës, institucion që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, nën udhëheqjen e ish-ministrit Faton Peci, i kishte dhënë Njazi Ajvazit një kontratë në vlerë prej 54.000 eurosh.
Në atë kohë, Faton Peci ishte një prej figurave kryesore të Listës Guxo dhe udhëhiqte degën e kësaj partie në Mitrovicë.
Ndërkaq Njazi Ajvazi ishte pjesë e kryesisë së kësaj partie në Mitrovicë. Kontrata prej 54.000 eurosh u lidh me Njazi Ajvazi në Kosovë për 5 vite, ku sipas kontratës kishte përfituar nga 900 euro në muaj, nga qiraja për zyrat që ia lëshoi në shfrytëzim drejtorisë për koordinimin e APK-së në Mitrovicë.
Zyrat e Njazi Ajvazit, sipas burimeve të Nacionales në atë kohë, kishin mungesë të kushteve dhe zyrtarët kishin shprehur pakënaqësi lidhur me përzgjedhjen. Ankesat kryesisht kishin të bënin me lokacionin, pasi që lokalet gjenden në periferi të qytetit dhe transporti ishte problem për zyrtarët.
Megjithatë, të mirat e shtetit për Njazi Ajvazin nuk u ndalën këtu. Dy vite pasi fitoi kontratën prej 54 mijë eurosh, në vitin 2024, ai u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që në atë kohë drejtohej prej ish-ministres Donika Gërvalla, asokohe bashkëkryetare e partisë Guxo.
Në vitin 2026, kur në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme erdhi Glauk Konjufca, tash Njazi Ajvazin e kanë caktuar në shërbim diplomatik, duke e dërguar në konsullatën e Kosovës në Kopenhagë. Në vendimin që ka siguruar Gazeta Nacionale, Ajvazi është caktuar të shërbejë në konsullatën e Kosovës në Kopenhagë me mandat katërvjeçar, ndërsa punën e ka nisur që nga data 3 gusht e vitit 2026.
Njazi Ajvazi, afërsinë me Faton Pecin dhe stafin e tij, vazhdon ta shfaqë edhe sot. Në foton që po shihni të publikuar më 14 qershor të këtij viti në rrjetin social Facebook, Njazi Ajvazi shihet afër Enes Osmanit, nënkryetarit aktual të Komunës së Mitrovicës dhe kryetari i degës së Listës Guxo në Mitrovicë. Enes Osmani kishte qenë edhe këshilltari i Faton Pecit, në kohën sa ai ishte ministër i Bujqësisë dhe në kohën që ishte nënshkruar kontrata 54.000 euroshe e njëjta me Ajvazin.
Në krahun tjetër të Osmanit është Selman Ajvazi, vëllai i Njazia Ajvazit dhe në fund Lulzim Imeri, aktivist i Listës Guxo.
Selmani, vëllai i Njazia Ajvazit, shihet në foto gjatë takimeve zyrtare të Faton Pecit si kryetar komune me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. Në fotografinë e Faton Pecit dhe Arben Vitisë, në krahun e Faton Pecit shihet dhe Selman Ajvazi.
Selmani, vëllai i Njazisë, me profesion doktor, sipas informacioneve të Nacionales, në kohën kur është zhvilluar takimi në fjalë, nuk ka qenë as i angazhuar në ndonjë qendër të mjekësisë familjare në Mitrovicë, as në spitalin rajonal në Mitrovicë, e as nuk përmendet askund në njoftimin e postuar në faqen zyrtare të Komunës së Mitrovicës. Kështu që ende nuk dihet në çfarë cilësie kishte marrë pjesë në takimin zyrtar.
Prania e Selman Ajvazit në këto rrethana, në shoqërinë e njerëzve të afërt politikë të Faton Pecit dhe në takime zyrtare me përfaqësues të institucioneve, pa u bërë e ditur cilësia në të cilën merr pjesë, lë të hapura pikëpyetjet për rolin dhe raportet e tij me rrethin politik të Pecit. A është Selman Ajvazi thjesht një person me afërsi familjare dhe shoqërore me këtë rreth politik, apo ka edhe ndonjë rol tjetër informal në politikë? Kjo mbetet e paqartë.















