Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

A do ta votojë Ligjin për Specialen Vetëvendosje? Flet Nagavci

12/11/2026 - 14:29
në Kryesore, Lajme
A A
A do ta votojë Ligjin për Specialen Vetëvendosje? Flet Nagavci
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë sërish Ligjin për Specialen në versionin që Kuvendi miratoi më 6 tetor, tha për Radion Evropa e Lirë shefja e grupit parlamentar të partisë, Arbërie Nagavci.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës sapo kanë votuar për ta proceduar Ligjin në rend dite në seancën e sotme.

LVV-ja, siç thekson Nagavci, ka pasur dhe vazhdon t’i ketë rezervat dhe mospajtimet e caktuara lidhur me këtë ligj, por “nuk tërhiqet nga fjala e dhënë” për miratimin e tij.

“Ne i kemi premtuar (PDK-së) mbështetjen dhe nuk tërhiqemi”, tha Nagavci për REL, duke bërë të ditur se deputetët e LVV-së do të votojnë për miratimin e ligjit, pa ndryshime në përmbajtjen e tij.

Arsyeja se pse LVV ka vendosur ta mbështes sërish miratimin e këtij ligji pavarësisht mospajtimeve dhe rezervave, sipas Nagavcit, është “ndjeshmëria e situatës në aspekt me të vërtetën historike”.

Për ta rimiratuar ligjin dhe për ta rrëzuar veton e presidentes Justina Shiroka-Pula duhen të paktën 61 vota.

Shiroka-Pula e ktheu ligjin për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të vetë PDK-së. Komisioni për Legjislacion shqyrtoi vendimin e presidentes më 12 nëntor dhe do t’ia përcjellë çështjen seancës plenare.

Gjatë mbledhjes së Komisionit, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se partia e saj ishte pajtuar me shumicën parlamentare për rimiratimin e ligjit. Sipas saj, PDK-ja konsideronte se Rregullorja e Kuvendit lejonte ndryshimin e tekstit gjatë rishqyrtimit, ndërsa shumica parlamentare vlerësonte se ndryshimet nuk lejoheshin në këtë fazë.

“Prandaj, unë dua të bëj të qartë që ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit bashkë me kolegët deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.

Vetëvendosje e kishte votuar ligjin edhe më 6 tetor, kur miratimi i tij u lidh me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes. Ndonëse Nagavci tha se partia do ta votojë sërish të njëjtin tekst, përfaqësuesit e Vetëvendosjes në Komisionin për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorolli, u shprehën në favor të një nisme të re ligjore.

Rrustemi tha se një nismë e re do të mund t’i adresonte shqetësimet që vetë PDK-ja kishte ngritur për tekstin. Qorolli, kryetar i komisionit, tha se PDK-ja ka të drejtë të kërkojë rivotimin e të njëjtit tekst, por përsëriti kritikat ndaj nismës së miratuar më 6 tetor.

“Do ta përsërisim sa herë që të jetë e nevojshme. Kjo iniciativë ka qenë e ngutshme, juridikisht e pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë”, tha Qorolli.

Sa i përket aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rrustemi tha se grupi i tij parlamentar e sheh strategjinë shtetërore për apelin si rrugën për ta kundërshtuar atë.

Për hartimin e strategjisë, Qeveria formoi më 14 tetor një grup punues, të kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Grupi përfshin përfaqësues të institucioneve dhe të grupeve parlamentare. Sipas kryeministrit Albin Kurti, detyra e tij është të bashkërendojë mbështetjen juridike dhe institucionale gjatë apelit.

Sipas nenit 80 të Kushtetutës, ligji konsiderohet i shpallur nëse rimiratohet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Nëse nuk i merr 61 votat, për ta rikthyer çështjen në Kuvend duhet një nismë e re ligjore.

Rregullorja e Kuvendit i jep komisionit katër javë nga pranimi i ligjit të kthyer për ta përgatitur raportin për seancën plenare. Në mbledhje u përmend 26 tetori si data e njoftimit nga Presidenca. Nëse komisioni e ka pranuar ligjin po atë ditë, afati për raportin përfundon më 23 nëntor.

Bashkimi Evropian (BE) i kundërshtoi ndryshimet në ligj dhe më pas e mirëpriti vendimin e presidentes për ta kthyer atë në Kuvend. Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi ndryshimet të papranueshme më 12 tetor, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së. Më 4 nëntor, ajo tha se BE-ja po zhvillonte bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në ligj.

Çfarë parasheh ligji?

Ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, i miratuar më 6 tetor, nuk parasheh shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ku janë trajtuar disa raste për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.

Megjithatë, ai parasheh ndryshime për disa çështje kyç të funksionimit të gjykatës.

Një nga ndryshimet kryesore në ligjin e miratuar – e që u kthye mbrapsht nga presidentja – ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Specialja.

Ndryshimet parashohin lidhjen e juridiksionit të tyre me pretendimet për trafikim organesh të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 që ishte bërë shkas për krijimin e mekanizmit të drejtësisë në Hagë.

Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Në këtë juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, torturat si dhe trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit që përmenden në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

Kjo i bie që ligji synon që Speciales t’i hiqet juridiksioni për të ndjekur krimet e tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.

Po ashtu, një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me periudhën kohore. Sipas ligjit fillestar, Gjykata Speciale trajtonte krimet që pretendohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji i propozuar nga PDK-ja, e i miratuar më 6 tetor, e kufizon këtë periudhë nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Po ashtu, me ndryshimet në ligj u kërkua që të trajtohen vetëm krimet që pretendohet se janë kryer në territorin e Kosovës, e jo edhe në veri të Shqipërisë. Të gjitha rastet që nuk parashihen në juridiksionin e Speciale, me ndryshimin e ligjit, synohet të transferohen në Kosovë.

Po ashtu, aty parashihet që rastet që janë në procedurën e Gjykatës Supreme, të transferohen në Kosovë.

Ndryshimet prekin edhe dënimin maksimal për personat që dënohen, duke kërkuar që ajo të jetë deri në 15 vjet burgim.

Po ashtu, të dënuarit nga Gjykata Speciale, sipas ndryshimeve të miratuara më 6 tetor, u mundësohet të jenë subjekt i faljes presidenciale. Por, kjo e fundit bie ndesh me ligjin aktual për faljen, që përjashton të drejtën e kërkimit të faljes presidenciale për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.

Ligji është kundërshtuar nga komuniteti evropian, që ngriti shqetësime lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

PDK më herët kishte argumentuar se me miratimin e ndryshimeve në ligj nuk do të thotë se anulohen aktgjykimet ekzistuese apo se personat e dënuar lirohen.

Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, ligjit të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar më herët se ndryshimet që prekin mandatin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk janë konsultuar për nismën. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata ka mandat të përcaktuar në bazë të këmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo përmes një video-mesazhi ka argumentuar se Gjykata Speciale garanton procese të pavarura dhe të paanshme në shërbim, siç ka thënë ajo, të drejtësisë. Ky deklarim i saj është përballur me kritika në Kosovë./rel/

JU REKOMANDOJMË

Haliti “godet” LDK-në: Po të ishte Rugova gjallë, s’do t’i humbte zgjedhjet asnjëherë – por ku ka mbetur sot LDK-ja…

Haliti “godet” LDK-në: Po të ishte Rugova gjallë, s’do t’i humbte zgjedhjet asnjëherë – por ku ka mbetur sot LDK-ja…
12/11/2026 - 14:14

Anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur për reflektim që sipas tij duhet ta bëjnë dy partitë kryesore opozitare në vend, PDK e LDK. Ai madje ka vendosur...

Më shumëDetails

Rekord rritje e pagave për punëtorët e menaxhimit të mbeturinave në Vushtrri – shoferëve 729 euro, punëtorëve fizik 623 euro

Rekord rritje e pagave për punëtorët e menaxhimit të mbeturinave në Vushtrri – shoferëve 729 euro, punëtorëve fizik 623 euro
12/11/2026 - 13:53

Ndër njerëzit më të rëndësishëm për komunitetin ku jetojmë padyshim janë punëtorët që mbledhin mbeturinat filluar nga shtëpitë tona e pastaj në lagjen ku jetojmë e po ashtu...

Më shumëDetails

Punëtorët e KEK-ut në protestë, paralajmërojnë: Tërë Kosova do të mbetet në terr

Punëtorët e KEK-ut në protestë, paralajmërojnë: Tërë Kosova do të mbetet në terr
12/11/2026 - 13:36

Punëtorët e KEK-ut kanë mbajtur sot një protestë para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të korporatës në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie me pagat dhe kushtet e punës....

Më shumëDetails

Kurti pritet në Irlandë nga kryeministri Micheál Martin (Video)

Kurti pritet në Irlandë nga kryeministri Micheál Martin (Video)
12/11/2026 - 13:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Dublin nga kryeministri irlandez Micheál Martin në nisje të European Political Community (EPC), raporton Gazeta Online Veriu.info.  Këshut ka bërë...

Më shumëDetails

Uniformat e Policisë përplasin Ganimete Musliun dhe ministrin Sveçla

Uniformat e Policisë përplasin Ganimete Musliun dhe ministrin Sveçla
12/11/2026 - 12:57

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me çështjen e uniformave dhe...

Më shumëDetails

Rrahen mes vete Kobra dhe Andi Pajaziti në Burgun e Sigurisë së Lartë

Rrahen mes vete Kobra dhe Andi Pajaziti në Burgun e Sigurisë së Lartë
12/11/2026 - 12:31

Andi Pajaziti dhe Dibran Hoxha i njohur si Kobra, janë rrahur mes vete në Burgun e Sigurisë së Lartë. Një lajm të tillë për Insajderi e ka konfirmuar...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Këta janë dy të arrestuarit për keqpërdorimin e 62 mijë eurove në Hirano Mushroom, dyshohen për mashtrim me grante

    Këta janë dy të arrestuarit për keqpërdorimin e 62 mijë eurove në Hirano Mushroom, dyshohen për mashtrim me grante

    122 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Avni Ajeti, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit e quan zhvatës të Kurtit, Rrustem Mustafën: PDK-ja duhet të pastrohet nga këta injoranta!

    105 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26
  • I njëjti shef i prokurimit lidh dy kontrata me të njëjtën kompani në Mitrovicë brenda dy vitesh, por çmimet për të njëjtat shërbime janë deri në 132 mijë e 650 për qind më të larta

    96 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • ‘Lufta’ e brendshme në LDK del prej kontrollit, Osmani i bën “diss” Bajramit

    96 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Lirim Mehmetaj paralajmëron incizim: Kryetari i komunës tregon se Kurti ia mundësoi hapjen e konkursit para zgjedhjeve

    104 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë