Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka anuluar takimin që e kishte caktuar për të premten, më 13 nëntor, me përfaqësuesit e mjekëve të rinj.
Takimi ishte caktuar pas kërkesave dhe presionit publik të mjekëve të rinj, të cilët kishin kërkuar takim me ministrin për të diskutuar problemet dhe kërkesat e tyre.
Sipas Klan Kosoves, anulimi është arsyetuar me agjendën e ngjeshur të ministrit. Nga Ministria është bërë e ditur se Vitia tashmë ka zhvilluar takime me përfaqësues të Parlamentit Studentor dhe të Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, ku është zotuar se kërkesat e tyre do të merren në konsideratë.
Mjekët e rinj, në prag të diplomimit, kanë kërkuar që stazhi profesional pas përfundimit të studimeve të jetë me pagesë, në vlerë të pagës minimale në sektorin publik.
Po ashtu, ata kanë kërkuar hapjen e konkurseve të rregullta për specializime, me vlerësim transparent të secilit kriter, si dhe hartimin e një strategjie kombëtare për punësimin e mjekëve të rinj në kujdesin parësor.














