Sulmuesi anglez Harry Kane ka kryer me sukses një ndërhyrje kirurgjikale pas lëndimit të rëndë në nyjën e këmbës së majtë, ndërsa pritet të qëndrojë jashtë fushave për disa muaj.
Kane u lëndua të premten në ndeshjen ndaj Kolnit, e cila përfundoi me rezultat 1:1. Ai u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 20 minutash lojë, ndërsa ekzaminimet mjekësore konfirmuan një këputje të ligamentit sindesmotik në kyçin e këmbës së majtë.
Bayern Munich njoftoi se operacioni ka përfunduar me sukses dhe se futbollisti tashmë do të nisë fazën e rehabilitimit. Sipas raportimeve, rikuperimi mund të zgjasë rreth tre muaj.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, 33-vjeçari reagoi edhe përmes një postimi në Instagram, ku shprehu zhgënjimin për lëndimin, por u zotua se do të rikthehet më i fortë.
“Ngjitjet dhe zbritjet e jetës! Natyrisht, jam shumë i zhgënjyer për këtë lëndim, por si gjithmonë, kjo është një mundësi për të treguar qëndrueshmëri dhe për t’u përmirësuar drejt vitit 2027. Do të rikthehem i freskët dhe i gatshëm për pjesën vendimtare të sezonit”, shkroi Kane.
Mungesa e tij përbën një goditje të madhe për Bayernin, që do të duhet të vazhdojë pa njërin prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës gjatë muajve të ardhshëm.














