Interpretim nga Gjykata Kushtetuese dhe ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për partitë politike. Këto po shihen si mundësi për të dalë nga ngërçi politik, sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti i Demokratik i Kosovës.
Të martën, Lumir Abdixhiku i LDK-së refuzoi ftesën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për koalicion.
Ftesa nga Kurti u bë publike të hënën më 5 maj, pas dështimit të njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.
Një përpjekje e radhës do të bëhen të mërkurën, në vazhdimin e seancës së 15 prillit.
Vullnet Bugaqku KDI, thotë se edhe nesër pritet të dështojë konstituimi i legjislaturës së nëntë.
“Po vërehet që LDK ka krijuar një kërkesë tjetër tashmë, po kërkon që të kemi bashkëpunim ose të ketë një marrëveshje më të gjerë politike që të kalohet kjo farë faza e ngërçit politik nëpërmjet qeverie të trancizionit, deri në zgjedhjen e presidentit. Nuk e di se a do të jetë kjo e suksesshme dhe e pranueshme për të gjitha subjektet politike. Nesër do ta kemi vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit, me gjasë do të jetë e njëjta procedurë dhe do të jetë i njëjti propozim kandidat për kryetar të Kuvendit dhe me gjasë përsëri do të kemi dështim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në pamundësi të numrave, mungesës së shumicës prej 61 vota”, thekson Bugaqku.
Sipas tij, për tejkalim të kësaj bllokade politike mund të provohet të kërkohet përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse hipotetikisht vazhdojmë me këtë lloj ngërçi dhe këso lloj bllokade të formimit të institucionit, në këtë rast Kuvendit atëherë unë nuk shoh rrugë tjetër përpos që kjo çështje të adresohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe mendoj që është e drejtë e deputetëve, së paku e 10 deputetëve që ta iniciojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Nuk e di se a do të kenë vullnet dhe gatishmëri ky grup i deputetëve, por megjithatë nëse ata eventualisht e dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, mendoj se duhet pyetur gjykata se kjo e drejtë e propozimit a është e përhershme, a është absolute a është e pakufishme. Dhe a mundet që një person i cili dështon më shumë se tri herë t’i sigurojë 61 vota të propozohet përsëri për kryetar të Kuvendit. Mendoj se këtë lloj situate, edhe për shkak të mangësive ligjore që i kemi në rregulloren e punës së Kuvendit dhe në Kushtetutë unë besoj që duhet edhe njëherë që ndoshta të provohet mundësia që nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të zgjidhet kjo bllokadë”, tha ai.
Vullnet Bugaqku nga KDI thotë se në situatën aktuale politike edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mund të ftojë partitë politike për konsultime të gjera për të gjetur një marrëveshje politike.
“Ajo [presidentja] mund ta bëjë këtë ftesë [partive politike] nëse vlerëson se është e nevojshme që të ndërhyhet në kuptimin politik, që të ftojë partitë politike në konsultime të gjera dhe të përbashkëta, në atë mënyrë që të gjendet një marrëveshje politike dhe të zgjidhet kjo situata e bllokadës së Kuvendit të Kosovës. Por, presidentja nuk guxon të interferojë se kush dhe kujt i takon e drejta e formimit të institucioneve. Nuk është gabim nëse presidentja e bënë një kërkesë dhe fton të gjithë liderët e partive politike që të zhvillojnë një takim të përbashkët, në atë mënyrë që të gjendet një zgjidhje politike e kësaj çështjeje, nuk ka asnjë shkelje as ligjore e as kushtetuese. Megjithatë, nëse provohet kjo mundësi dhe prapë dështon dhe nuk arrihet ndonjë konsensus i brendshëm i partive politike, ndoshta është mundësia që edhe presidentja ta shfrytëzojë mekanizmin e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar këto mangësi ligjore që i kemi”, thotë ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026.
Kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në konferencë për media të martën tha se kanë qëndrimin e njëjtë kundër koalicionit qeverisës me LVV-në, raporton KosovaPress.
Deklarimi i Abdixhikut është përgjigje ndaj ftesës që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kishte dërguar bërë LDK-së për koalicion.
Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.
Kundër propozimit të LVV-së – Albulena Haxhiut – po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.
Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.