Për një mot-mot ishin partner që ishin shkrirë në një platformë politike – por, tash e gati një muaj që nga përmbyllja zgjedhore Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj po komunikojnë veçse nga distanca: përmes të vetëve.
Ardian Gjini për të tretën herë me radhë doli në debate televizive me targën e AAK-së paszgjedhore pa përgjigje se çka ka ndodhur me Limajn. Madje, në një rast e quajti jo në emër, por “Çështja Limaj”.
Në “Debat Plus”, Ardian Gjini tregoi se që nga konkludimi zgjedhor nuk e di se ku do të banojë politikisht (ish?)partneri Fatmir Limaj: madje tha që as s’ka folur.
Vazhdon të dëshirojë të mendojë, tha ai, qysh ia kanë kumtuar partnerët tjerë nga NISMA se Fatmir Limaj “nuk ka mendu ashtu”.
Por, çka mundi të thotë, e tha.
“Ka gabu, nuk është në rregull me ba ashtu – me dalë tri ditë mas zgjedhjeve edhe menjëherë me tregu aso pozicione, sepse kemi pas partneritet”, tha Gjini.
Gjini – megjithatë – pati edhe lexime të votës së Fatmir Limajt: përkatësisht 25 mijë e 700 votat në koalicionin e përbashkët AAK – Nisma.
Nuk mund të konsiderohet që atë vota të Fatmir Limajt të jenë edhe të NISMA-s, tha prerazi Gjini, referuar vendvotimeve në vende ku Nisma nuk ka struktura partie.
“Për ‘Çështjen Limaj’, sa vota kanë ardhë sa nuk kanë ardhë – gjasat janë që kurrë nuk mujm me ditë sakt. Por, përafërsisht.
Nuk mundet vota e Fatmir Limajt m’eu konsideru votë e NISMA-s, për shkak se Fatmir Limaj ka marrë vota edhe aty ku s’ka pas strukturë e njerëz hiç – njerëzit e kanë votu që ka qenë numër 2 në listë”, tha ai.