AAK dhe Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi në komunën e Junikut për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen me 9 nëntor.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i degës së AAK-së në Junik, Leonard Llolluni,
“Dëshmitar” i kësaj marrëveshje ishte edhe deputeti nga Lista Guxo, Nezir Kraki.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë Junikas,
Sot, në Junik, kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Kjo marrëveshje është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat në dobi të qytetarëve tanë, me synimin për të krijuar një qeverisje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme.
Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak.
Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt një kulture të re bashkëpunimi politik në komunën tonë — një bashkëpunim që ka në qendër të vetmin qëllim: zhvillimin dhe mirëqenien e Junikasve.
Me këtë marrëveshje, ne po dëshmojmë se kur ka vullnet dhe vizion të përbashkët, bashkimi bëhet për të mirën e përbashkët.















