Procesi për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb po vazhdon të mbetet i bllokuar. Edhe pse kandidati Nenad Rashiq arriti të sigurojë më së shumti vota në seancën e fundit, ai nuk mori shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur.
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, në një debat televiziv ka shpjeguar arsyet pse partia e tij nuk e mbështeti Rashiqin.
Ai deklaroi se, sipas tij, Rashiq nuk paraqet ndryshim nga përfaqësuesit e Listës Serbe.
“Po flitet shumë herë, se shumë njerëz kanë bërë dëme të mëdha ndaj UÇK-së, por edhe zoti Rashiq nuk është më i mirë se sa të tjerët nga Lista Serbe. Zoti Rashiq, është një serb që e keni parë para disa muajsh me ato përshëndetje me tre gishta. Nuk është ndonjë serb që është më i mirë se sa serbët e tjerë…”, tha Brahimaj në Debat Plus.