Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas regjistrimit zyrtar të deputetëve të partisë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Abdixhiku u shpreh krenar për kontributin e deputetëve të LDK-së që, siç tha ai, “e lartnojnë këtë shtëpi të madhe të demokracisë në secilin veprim”.
“Regjistrimi në mandatin e katërt tashmë. Së bashku me kolegët e tjerë të LDK-së, ata që e lartnojnë këtë shtëpi të madhe të demokracisë në secilin veprim. Ata që në momentin më kritik, qëndruan, punuan, dhe nisën rikthimin tonë politik. Ishim pak, po bëhemi më shumë!
Kënaqësi!
Teksa shoh grupin në këtë përbërje, reflektim i 171 mijë votuesve tanë, teksa shoh se si gjysma e tyre janë këtu për herë të parë, e të tjerë me kaq shumë përvojë – deri në shtatë mandate – e kuptoj qartë dhe mesazhin e votuesve tanë. Do ta nderojmë këtë mesazh me punë, dinjitet e me mbajtje të fjalës”.
“Ndryshimi vazhdon. Fort! Pa ndalë! LDK-në që e keni kërkuar do ta keni; dhe asnjë agjendë, asnjë përpjekje e asnjë pazar s’mund ta ndalë! LDK, votuesi e populli, po bëhen një. Demokraci; demokraci dhe asgjë më pak se kaq!
Na priftë e mbara!
Le të jetë ky një rrugëtim i drejtë për vendin dhe për Lidhjen tonë të shenjtë!”, ka shkruar Abdixhiku.