Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij para delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë. Ai theksoi se vendimi përfundimtar tani i takon vetë këtij forumi.
Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku njoftoi se me ndjenjë të plotë përgjegjësie ia paraqet Kuvendit dorëheqjen nga posti i kryetarit, me qëllim që çështja e votëbesimit të vendoset drejtpërdrejt para delegatëve, raporton Dukagjini.
“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë po ia paraqes Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, në mënyrë që ky Kuvend të vendosë për votëbesimin,” u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se ky veprim nuk ka për qëllim krijimin e krizave apo përçarjeve brenda partisë, por qartësimin e drejtimit politik që duhet ndjekur në të ardhmen.
“Nuk e bëj këtë për të shkaktuar krizë, por për të sqaruar rrugën që duhet të ndjekim përpara. Nuk e bëj për ta ndarë LDK-në, por për ta forcuar dhe bashkuar atë,” tha ai, duke iu drejtuar delegatëve me pyetjen se si e shohin vazhdimin e tij si kryetar dhe të ardhmen e partisë.













