Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sot në Koshare për të përkujtuar betejën heroike të 9 prillit dhe për të nderuar 113 martirët e heronjtë që ranë për lirinë e atdheut.
“Në Koshare, përveç lavdisë, në takim me familjarët e 113 martirëve e heronjve të rënë për liri, thonim: Gëzuar kjo ditë! Gëzuar, sepse të arrish përjetësinë në altarin e lirisë për atdhe, është bekim”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka ndarë momente emocionale nga bisedat me familjarët e dëshmorëve, përfshirë nënën e një 17-vjeçari të rënë në luftë, prindërit e dy vëllezërve të rënë bashkë, si edhe familjarët e tre luftëtarëve të huaj nga Algjeria, Franca dhe Italia, të cilët luftuan krah për krah me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Kalova gjithë mëngjesin me familjarët e martirëve. Nën shoqërimin e heronjve të gjallë, bashkëluftëtarëve të tyre, të Agimit, Saliut, Xhemajlit e Abazit, nderuam mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999 – ditën kur nisi të thyhej kufiri messhqiptar”, theksoi ai.

Në përfundim, Abdixhiku tha se pjesa tjetër është histori – prej më madhështoreve – dhe se lavdia u përket të gjithë atyre që ranë për liri.
