Avokati Arianit Koci ka treguar se ish-policit, Arbnor Spahiu i është caktuar masa e paraburgimit, nën akuzën për vrasje të rëndë, lidhur me rastin ‘Banjska’. Koci foli për Nacionalen nga Serbia, duke dhënë detaje.
“Arbnor Spahiut i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet serbe.
Po e akuzojnë për vrasje të rëndë – sipas nenit 114 paragrafi 1 pika 11 të Kodit Penal të Serbisë, e lidhur me rastin “Banjska”.
Kallëzimi penal është bërë nga ana e BIA-s serbe. Por e vërteta është krejt tjetër: Arbnori nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës në kohën e ngjarjes së pretenduar.” – tha Koci.
Tutje ai ka treguar absurditetin e kësaj akuze, sepse sipas tij ekzistojnë prova se ish-polici dha dorëheqje afërsisht një vit para ‘Banjskës’.
“Ka dhënë dorëheqje afërsisht një vit më parë – dhe jeton në Gjermani.
Për këtë kemi dorëzuar prova. Kjo nuk është procedurë penale – është përndjekje politike.
Dhe është pjesë e qartë e një zinxhiri veprimesh të koordinuara nga Serbia – për të frikësuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës. “
Tutje, Avokati ka ftuar Kryeministrin e Presidenten të reagojnë për rastin.
“Unë jam në Serbi për ta ndjekur personalisht këtë proces.
Ankesa do të ushtrohet brenda afatit ligjor prej 3 ditësh. Ministria e Jashtme, respektivisht ministrja Donika Gërvalla dhe Ambasadori i Kosovës në Serbi Jetish Maloku polici ma japin përkrahjen e duhur logjistike – dhe e vlerësoj.
Por nevojitet shumë më tepër: Kryeministri dhe Presidentja duhet të reagojnë zyrtarisht. Shteti i Kosovës nuk guxon të heshtë, kur qytetarët e vet përndiqen padrejtësisht jashtë territorit të vendit. Nëse Kosova nuk i mbron njerëzit e saj – kush do ta bëjë?” – u shpreh ai.
Gjyqi në Kosovë për Banjskën
Nesër, e mërkurë, para trupit gjykues pritet të dalin tre të akuzuarit për rasin Banjska. Kjo si vazhdim i shqyrtimit gjyqësor. Seancë u mbajt edhe të hënën në lidhje me rastin, ku dëshmuan dy policë të Kosovës.
Të hënën Zyrtari i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të Policisë së Kosovës, Alban Rashiti, ka treguar në detaje çdo pikë se çfarë ka ndodhur gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Rashiti, gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rrëfeu edhe për momentin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku.
“Momenti që ka ardhur rreshteri Afrim Bunjaku jemi përshëndet në ato qaste jam largu 3 -4 metra me larg nga ana e majtë ka ndodhe një shpërthim i papritur menjëherë kam kuptuar qe jam plagosur nga ana e majtë. Shpërthim shume i madh nuk e kem dit ka ardh një eksplodim kur e kam kthyer kokën kam parë tym dhe e kam pa veten që jam i goditur ne krah jam mundu me u shmang me kalu në pozitë mbrojtëse afër një kamionete menjëherë ka ndodhur një shpërthim tjetër ….që ka goditur trupin tim. Çështje sekondi kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri.. kur kanë filluar gjuajtjet aty kem parë se ka gjuajtje prej tërë fshatit nga dhjetëra pozicione me armë të ndryshme”, ka deklaruar ai.
Sipas policit, pas shpërthimit, nisën gjuajtjet nga të gjitha anët.
“Në ato momente kemi filluar duke kthyer zjarrin posa e kemi lokalizuar nga po vijnë gjuajtjet mirëpo në anë n e majte time kam vërejtur që tashmë rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë në shpinë pozicioni si ishte dhe i gjakosur nga qafa në fytyre dhe nga Mirsadi kemi kërkuar nga Çlirimi ta sjelle veturën aty dhe të e tërheq rreshterin nga ai vend sepse aty kishte gjuajtje gjatë tërë kohës… ashtu Çlirimi ka dhez veturën dhe është nis me ardh te unë posa ka dal ne dritë e kane goditur gjuajtje te shumta dhe e kane bere veturën te palëvizshme”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se për 42 tjerë të dyshuar në lidhje me rastin ‘Banjska’, në krye me kryeorganizatorin Milan Radojiçiq, të gjithë faktorët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Serbia që t’i sjellin para drejtësisë. Por, momentalisht ata ndodhen në arrati.