Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmet kibernetike kundër VOX Kosovës.
Në reagimin e AGK-së theksohet se janë “thellësisht të shqetësuar me një valë të re të sulmeve kibernetike kundër portalit, VOX Kosova”.
Llogaria e VOX Kosovës në platformën Facebook është mbyllur dy herë, ajo në TikTok po ashtu dy herë, ndërsa ajo në Instagram një herë.
“AGK-ja dënon fuqishëm këto sulme ndaj VOX Kosova, e që minojnë lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë, dhe kanë për qëllim pengimin e shpërndarjes së lirë të informacionit”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka ftuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që të zhvillojnë hetimet e nevojshme për të gjetur dhe dënuar autorët e sulmeve.
Gjithashtu, kanë kërkuar rritjen e nivelit të bashkëpunimit me organet kompetente nga Gjermania, prej nga është identifikuar se vijnë sulmet.
“AGK-ja qëndron në mbështetje dhe solidaritet të plotë me VOX Kosova, dhe të tjera media që kohëve të fundit janë penguar për ta kryer punën e tyre si pasojë e këtyre sulmeve”, theksohet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.













