Shkelja e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga bizneset që vendosin kamera mbetet një problem shqetësues. Shpesh, sistemet e vëzhgimit instalohen pa respektuar kriteret ligjore dhe pa informuar qytetarët në mënyrë të duhur. Kjo cenon privatësinë dhe rrit nevojën për mbikëqyrje më të rreptë institucionale.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), si agjenci e pavarur përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka realizuar një inspektim në Kolegjin “Tempulli” lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, raporton Veriu.info.
Inspektorët e AIP kanë gjetur shumë shkelje të Kolegjit “Tempulli” lidhur me sistemin e vëzhgimit me kamera që bëhet në këtë institucion të arsimit të lartë.
Veriu.info ka siguruar një vendim të AIP me të cilin është urdhëruar Kolegji “Tempulli” të largojë sistemin e vëzhgimit me kamera nga sallat e testeve.
“Gjatë inspektimit, është hartuar procesverbali me nr.76/25 dhe numër serik:0000076, datë 08.12.2025, me të cilin është konstatuar kjo gjendje faktike: Kontrolluesi ka të vendosur sistem të vëzhgimit me kamerë në hapësirën e jashtme 6 copë, ndërsa në hapësirën e brendshme 10 copë. Kamerat janë të vendosura në korridore e objektit dhe në dy klasa/kabinete kamera nr.10 dhe 31, ku mbahet mësim praktikë profesionale. Gjithashtu evidentohet një kamerë me nr.15, e vendosur në sallën e testeve ku nuk ka pajisje (që shfrytëzohen për mësim), por vetëm mbahen teste. Numri në total i kamerave janë 16 copë. Posedojnë shenjën njoftuese-informuese por jo komforë ligjit, afati i ruajtës është 2 ditë, nuk posedojnë vendim të brendshëm për vendosje të sistemit, sistemi nuk është audio”, thuhet në vendimin e AIP të bërë me rastin e inspektimit në Kolegjin “Tempulli”.
Gjatë këtij inspektimi ishte konstatuar se Kolegji “Tempulli” nuk ka pasur të drejtë të ndërhyjë në sallën e testeve me vendosjen e kamerave, sepse është shkelur e drejta për privatësi e studentëve dhe mësimdhënësve.
“Sa i përket sallës së testeve, ku është evidentuar kamera me numër identifikues 15, kontrolluesi nuk ka dëshmuar ekzistencën e ndonjë rreziku konkret dhe real ndaj të punësuarve apo pasurisë që do ta justifikonte instalimin e saj. Vendosja e kamerës në këtë ambient përbën ndërhyrje të panevojshme dhe joproporcionale në të drejtën për privatësi të studentëve dhe mësimdhënësve dhe nuk është në përputhje me nenet 5, 76 dhe 78 të LMDhP-së. Për këtë arsye, urdhërohet largimi i kamerës me numër identifikues 15 nga salla e testeve”, theksohet në vendimin e AIP të siguruar nga Veriu.info.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga Kolegji “Tempulli” për çështjet e ngritura, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.
Ndryshe, pronarë të Kolegjit “Tempulli” janë Muhamed Krasniqi me 80% të aksioneve dhe Fatime Krasniqi me 20% të aksioneve. Muhamed Krasniqi mbanë edhe pozitën e drejtorit të Kolegjit Tempulli, ndërsa Fatime Krasniqi është Sekretare e Përgjithshme e këtij institucionin arsimor.




Foto kryesore e lajmit: Ilustrim















