Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pasi që tetë policë u vetaksidentuan në veri mbrëmë, ku tre prej tyre morën edhe trajtim në QKUK.
Sindikata e Policisë duke iu uruar shërim të shpejtë zyrtarëve policorë kanë shprehur shqetësimin për këtë ngjarje.
“Sindikata bën thirrje urgjente drejtuar të gjithë akterëve shtetërorë për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës.”
“Sindikata i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të ndërmerren masa të menjëhershme për sigurimin e mbështetjes shëndetësore për policët. Kjo kërkesë vjen si pasojë e një vetaksidenti të fundit, ku një automjet policor pësoi aksident, duke lënë të lënduar tetë zyrtarë policorë. Ngjarje të tilla, që po përsëriten shpesh, theksojnë mungesën e një mbulimi të duhur shëndetësor për ata që çdo ditë përballen me rreziqe të larta në shërbim të vendit.” – thuhet në njoftim.
Ndër të tjera nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se sigurimi i mbështetjes së plotë shëndetësore për policët është urgjente dhe e domosdoshme, jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për garantimin e efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Çështja e sigurimit shëndetësor për policët është ngritur prej kohësh, por deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje konkrete. Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të angazhohet për të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të saj, duke kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që t’i japin kësaj çështjeje prioritetin që meriton.” – thuhet në përfundim të këtij njoftimi.