Njësitë e Policisë së Kosovës së bashku me Doganën gjatë një aksioni të përbashkët kundër kontrabandës kanë ndaluar një automjet të dyshimtë pa targa në zonat malore të fshatrave Banjskë dhe Sharani-Kamen.
Sipas njoftimit automjeti po lëvizte me shpejtësi të madhe, por personat që gjendeshin brenda e braktisën atë dhe u larguan në drejtim të panjohur.
Më tutje bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në veturë u gjetën 32 thasë me pantallona (1217 palë xhinse) dhe 1 thes me rripa pantallonash (303 copë).Po ashtu, në automjet u sekuestruan një palë targa të Serbisë, një kanistër plastik me naftë dhe një radiolidhje.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës ndalon automjetin me mallra të kontrabanduara
Mitrovicë Veri , 06.04.2026
Me datën 06.04.2026 rreth orës 19:15 ne zonën e fshatit Banjskë dhe Sharani-Kamen në rrugë malore, njësit Policore dhe njësitë e Doganës së Kosovës gjatë një aksioni të përbashkët për luftimin e kontrabandës kanë vërejtur një automjet pa targa i cili lëvizte me shpejtësi të madhe. Njësitë policore janë vënë në ndjekje dhe pas pak kanë hasur në veturën e dyshimtë, por personi-at e kishin braktisur veturën dhe ishin larguar në drejtim të panjohur. Gjatë kontrollit është vërtetuar se në veturë kishte mall të kontrabanduar 32 (tridhjetë e dy) thasë ma pantallona (1217 palë xhinse) dhe 1 (një) thes me rripa të pantallonave (303 copë rripa). Gjithashtu në veturë janë gjetur edhe një palë targa të shtetit të Serbisë, një kanistër i plastikës me naftë dhe një radiolidhje.
Njësitë nga Dogana e Kosovës kanë bërë konfiskimin e mallit të kontrabanduar.
Me udhëzimet e Prokurorit të shtetit rasti mbetet të trajtohet nga Dogana e Kosovës.














