Prokuroria Themelore në Pejë po zhvillon një aksion në disa kompani në rajonin e Pejës, nën dyshimet për rrezikim të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës. Në aksion janë të përfshirë nëntë prokurorë dhe po kontrollohen objekte në katër komuna të ndryshme.
Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, në një konferencë për media. ka deklaruar se nga 19 raste të rrezikimit të punëtorëve, tre kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime të përhershme ose të përkohshme.
“Janë angazhuar nëntë prokurorë, të cilët kanë përgatitur lista pyetjesh për përgjegjësit e vendeve të punës. Çdo objekt duhet të identifikohet me personin përgjegjës,” tha Vuçetaj, duke shtuar se ligji i punës nuk po respektohet dhe jeta e punëtorëve është e rrezikuar.
“Ju them me të drejtë, brenda gjashtë muajve kanë ardhur punëtorë që punojnë në vende pa asnjë masë sigurie. Asnjë përfitim material nuk mund të barazohet me jetën e humbur të punëtorëve”, shtoi ajo.
Vuçetaj theksoi se përgjegjës për këto shkelje janë personat që mbajnë përgjegjësi në kompanitë kontraktuese, të cilët kontraktojnë punëtorë pa siguruar mjetet e duhura për kryerjen e detyrave të tyre në vendin e punës.