Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Fikrim Damkës, ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, dhe B.K., ushtrues i detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pas kësaj ka reaguar, Ariana Musliu Shoshi nga PDK, sipas saj ky është një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një skandali që PDK e kishte denoncuar që më 1 qershor të vitit 2022, përmes një kallëzimi penal të dorëzuar bashkë me avokatin Faton Fetahu.
Megjithatë, Musliu-Shoshi e cilëson si të pashpjegueshme faktin që në këtë aktakuzë nuk janë përfshirë edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi, të cilat, sipas saj, kanë qenë përfituese direkte përmes organizatës “Germin”.
“Ajo marrëveshje, e realizuar me pëlqimin e znj. Schwarz, shkel katër ligje të Republikës së Kosovës dhe dëmton mbi 1 milion euro nga buxheti publik”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë deri në fund këtë aferë dhe të shqyrtojë me kujdes rolin dhe përgjegjësinë e çdo zyrtari të përfshirë në rast, përfshirë edhe Gërvallën dhe Gashin.
“PDK do të vazhdojë të mbrojë interesin publik dhe të kërkojë llogaridhënie për çdo abuzim me pushtetin dhe pasurinë e qytetarëve”, përfundon reagimi i saj.