
Ahmet Tahiri do të përballet në gjyq me akuza të rënda për mashtrim.
Avokati nga Vushtrria dyshohet se ka keqpërdorur autorizimet e tij për të përfituar financiarisht në një rast në të cilin e ka përfaqësuar kompaninë Union Sh.P.K.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë ndaj Tahirit për veprën penale ‘Keqpërdorim i besimit’, raporton Paparaci.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë, Tahiri kishte lidhur një marrëveshje gojore me kompaninë Union Sh.P.K për përfaqësimin e saj në procedurën e rritjes së vlerës së shpronësimit të një prone.
“[Prokuroria, v.j] pas një pune hetimore ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.T., pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti me dashje i ka keqpërdor autorizimet e tij, në cilësinë e avokatit, me qëllim që vetes ti sjell dobi pasurore të kundërligjshme në dëm të pasurisë së të dëmtuarit ‘U.’ SH.P.K me pronar Xh.K, ashtu që duke përfaqësuar interesat pasurore të së njëjtit, pas një marrëveshjeje gojore me të dëmtuarin lidhur me shpërblimin për përfaqësim në procedurën e rritjes së vlerës së shpronësimit, përfiton kundërligjshëm një shumë të caktuar të hollash nga kompensimi i ndarë për të dëmtuarin nga ministria përkatëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Siç merr vesh Paparaci, Tahiri, i cili është vëllai i Xhafer Tahirit – kandidatit për kryetar të Vushtrrisë – përfitoi një shumë të të hollave gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve përmbarimore në një rast ku e përfaqësonte kompaninë Union.
Kontesti përmbarimor dyshohet të jetë i vlefshëm afër 300 mijë euro.
Avokati Tahiri dyshohet se përvetësoi një pjesë të të hollave nga kompensimi i ndarë për shpronësim nga një ministri për pronën e kompanisë Union Sh.P.K.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka propozuar Gjykatës që ndaj avokatit Tahiri të shqiptohet dënim plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit.
Xhabir Kajtazi, pronar i kompanisë Union, i kontaktuar nga Paparaci të premten, tha se nuk dëshiron të japë asnjë koment rreth akuzave të ngritura ndaj avokatit. /Paparaci.com