Dje gjatë ditës është raportuar në media të njohura ndërkombëtare si Reuters, se kompania e njohur zvicerane Nestle ka po tërheq nga tregu disa lote të produkteve të saj ushqyese për foshnje, përfshirë formulat SMA, BEBA dhe NAN, kryesisht në Evropë, për shkak të një ndotjeje të mundshme me një toksinë që mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Kjo po ndodh për shkak të pranisë së mundshme të cereulidës. Cereulida është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus, e cila mund të shkaktojë helmim ushqimor.
Njoftimin për tërheqje nga tregu të këtyre produkteve e ka bërë të ditur edhe Autoriteti i Sigurisë Ushqimore të Irlandës (FSAI).
“Kjo tërheqje po kryhet si masë parandaluese në interes të shëndetit publik dhe deri më tani nuk janë raportuar raste sëmundjeje. FSAI po këshillon prindërit, kujdestarët dhe personat që kujdesen për fëmijët që, nëse i kanë këto produkte të tërhequra në shtëpi, të mos ua japin foshnjës apo fëmijës së vogël.” – thuhet në njoftimin e Autoritetit të Sigurisë Ushqimore të Irlandës.
Kjo kompani e njohur zvicerane Nestle shet produktet e saj edhe në Kosovë, ku përfaqësues i autorizuar për vendin tonë është kompania Migros.
Gazeta Online Veriu.info ka dërguar pyetje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për t’i pyetur nëse këto produkte ushqyese për foshnja janë tërhequr nga tregu kosovar pas kërkesës së kompanisë zvicerane dhe çfarë masa janë marrë nga ky institucion.
Deri në publikimin e këtij lajmi AUV nuk ka kthyer përgjigje.
Gazeta ka kontaktuar përmes telefoni edhe kompaninë Migros të cilët nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje duke thënë se një përfaqësues i kompanisë do të kontaktojë për disa minuta për të dhënë detaje mbi këto produkte.
Por të njëjtit deri në këtë moment nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Këto produkte shiten edhe në Kosovë dhe sipas vet kompanisë zvicerane nuk duhet të konsumohen pasi janë të rrezikshme.













