Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila është edhe kandidate e partisë së saj për kryeparlamentare, tha se s’është përgjegjësi “vetëm” e Vetëvendosjes që të konstituojë Kuvendin e Kosovës.
“Nuk varet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Jemi përgjegjës sa janë edhe deputetët tjerë të partive tjera. Pra, 120 deputetë e Kuvendit duhet të japin kontributin që Kuvendi të konstituohet”, tha ajo pas dështimit të 31-të.
E pyetur për planin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse, Haxhiu, sikurse bashkëpartiakët, e saj u përgjigj, duke thënë se nuk e ka lexuar.
Nuk kam pasë mundësinë që ta lexoj këtë plan, por ajo që është e rëndësishme është absurde që të propozosh që të mblidhemi për të diskutuar për 15 pikat kur ne s’po mund të merremi vesh për konstituimin e Kuvendit”.
“Ka një rend të gjërave këtu: së pari të konstituohet Kuvendi, pra duhet të ketë unitet për ta konstituuar Kuvendi dhe pastaj të flasim për çështje të tjera. Në këtë drejtim, e dini që Vetëvendosje ka qenë e hapur që LDK të jetë partnere në Qeverinë Kurti III, por kjo është refuzuar. Ata po kërkojnë qeveri të unitetit dhe unë s’e kam të qartë saktësisht çfarë po kërkojnë. Po kërkojnë që të gjitha partitë të jenë në qeveri bashkë? A duhet Kuvendi i Kosovës të ketë opozitë? Demokracia e kërkon që të ketë qeveri dhe opozitë”.
“S’e kuptoj qasjen e LDK-së dhe insistimin që me domosdo ta ketë PDK-në në koalicion”.