Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e mbajtur të martën u shoqërua me përplasje verbale mes anëtarëve të këtij institucioni, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Shkak për debat u bë çështja e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve lokale, për të cilën Gashi ngriti shqetësim, duke akuzuar Qeverinë se ende nuk e ka miratuar mjetet e nevojshme.
“E kam një pyetje ndoshta për ju kryetar. Po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është miratuar nga ana e Qeverisë dhe mendoj që ju do të duhej të komunikoni direkt, sepse mosmiratimi i shpejtë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore, sidomos te pjesa e diasporës. Mos ndarja e buxhetit me kohë mund të rrezikoj realizimin e këtyre operacioneve, kështu mendoj se do të duhej të ishit në kontakt direkt me Qeverinë që ky buxhet të jetë sa më parë në llogarinë e këtij institucioni”, tha Gashi.
Në këtë moment reagoi anëtari i VV-së, Alban Krasniqi, i cili tha se deklarata e Gashit është e pavërtetë dhe shtoi se buxheti është ndarë tashmë nga Qeveria.
“Për me qenë korrekt, se tash janë mediat dhe fushata s’ka fillu ende, dhe nashta është mirë kolegët me qenë korrekt në raport me publikun”, tha Krasniqi, duke shtuar: “Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet. Për të gjitha kërkesat që kemi pasur qeveria i ka ndarë. Buxheti për këto zgjedhje tashmë është i ndarë. Çështja është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat ne vet si institucion nuk i kemi planifikuar”.
Këto deklarata nxitën reagimin e Gashit, i cili u shpreh se pyetjen nuk ia kishte drejtuar zyrtarëve qeveritarë dhe kërkoi që të mos ndërpritet.
“Dorën në zemër unë Hekuran Muratit si bëra pyetje këtu. Po e trajtoj si shqetësim. Koleg kur ta kryj mundesh me marrë fjalën, veç ta përfundoj…Nuk je zëdhënës i qeverisë”, tha Gashi.
Krasniqi më pas vazhdoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj PDK-së dhe disa mediave, të cilat i akuzoi për dezinformim.
“Thatë që nuk ka ndarë qeveria buxhet nuk është e vërtetë… Qeveria ka ndarë që vitin e kaluar këtë buxhet. Me mediat të caktuara që i keni e keni dezinformuar publikun. Mediat e juaja të caktume disa e keni dezinformu opinionin”, tha ai.