Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar pas dështimit të radhës të Lëvizjes Vetëvendosje për ta zgjedhur kryetaren e Kuvendit të Kosovës.
Me një koment ironik “PDK, LDK, AAK…dhe gruaja e Rexhës”, Gjoshi ka nënvizuar faktin që edhe brenda grupit parlamentar të VV-së nuk pati votë të plotë për Donika Gërvallën.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi – njëherësh bashkëshortja e ish-deputetit Rexhep Selimi – nuk e ka votuar Gërvallën në seancën konstituive të sotme, duke i shtuar zërat për pakënaqësi të brendshme në partinë në pushtet.
Donika Gërvalla, e propozuar nga Vetëvendosje si emri i dytë pas dështimit të Albulena Haxhiut, mori vetëm 57 vota pro, duke mos arritur shumicën e nevojshme për zgjedhje.
Më herët gjatë seancës, Albulena Haxhiu po ashtu ishte refuzuar nga deputetët me 57 vota për, 56 kundër, ndërsa tre deputetët e Nismës abstenuan.
Pavarësisht më shumë se tri javësh bllokadë parlamentare, edhe tentativa e sotme nuk arriti ta zhbllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit. Dështimi i votimit të Gërvallës, sidomos mungesa e votës nga deputetja Selimi, tashmë ka hapur debat të ashpër edhe brenda radhëve të VV-së.
“Na paskan munguar jo vetëm votat e PDK-së, LDK-së e AAK-së… por edhe vota e gruas së Rexhës”, ka shkruar Betim Gjoshi, duke ironizuar me situatën.
Seanca pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, ndërsa ende nuk dihet se cilin emër do ta propozojë VV për të tentuar sërish marrjen e postit të kryetarit të Kuvendit.