Sipas Arifit, me VLEN-in, Mickoski po i lufton politikisht shqiptarët dhe interesat e tyre në Maqedoninë e Veriut.
“VLEN-i është bërë një mashë për shkatërrimin e interesave të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Këtë, Mickoski e ka dhuratë prej Kurtit. Përndryshe, Mickoski është i vetmi kryeministër në Evropë me të cilin Kurti ka raporte të mira dhe e ka aleat”.
“Dhe ardhja e VLEN-it në pushtet e ka cenuar gjuhen shqipe në Maqedoni të Veriut, po i heq gradualisht shqiptarët prej pozicioneve shtetërore dhe duke e defaktorizuar faktorin politik shqiptar”, tha Arifi në Rubikon.
Tutje, Arifi u shpreh se VLEN-i është instrument i Kurtit dhe i Mickoskit për Maqedoninë e Veriut, njëjtë siç është Lista Serbe në Kosovë si instrument i presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.
“A po përzihet tash Kurti apo jo, nuk ka rëndësi. Ata e kanë krijuar një monstrum, që për bindjen time është monstrum i quajtur VLEN, ia ka dhënë Mickoskit dhe Mickoski po e përdor bashkë me maqedonasit”.
“Ajo çka është Lista Serbe në Kosovë si instrument i Vuçiqit, është VLEN-i instrument i Kurtit dhe Mickoskit për Maqedoninë e Veriut”, tha ai.