Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes një komunikate për media kanë thënë se duke marrë parasysh se vendi po kalon ditë të vështira dhe gjendet përballë një bllokade totale institucionale, vlerëson se është më se e udhës formimi i një Qeverie të unitetit kombëtar, me qëllim daljen nga kriza aktuale, garantimin e funksionimit normal të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit.
Sipas një komunikate të historianëve të Deçanit, kjo Qeveri duhet të fokusojë veprimtarinë e saj në mbrojtjen e rendit kushtetues, forcimin e institucioneve shtetërore dhe thellimin e koordinimit me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, veçanërisht me aleatët e sigurisë së Kosovës.
“Andaj, një emër i cili do të mund t’i prijë kësaj Qeverie të unitetit kombëtar dhe që ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë dhe unitetit tonë kombëtar, si dhe qëndron mbi subjektet politike, është Armend Mehaj ish ministër i Mbrojtjes se Republikës se Kosovës. Propozojmë që Mehaj të jetë kryeministër i kësaj Qeverie të unitetit kombëtar me mandat njëvjeçar, me fokus: miratimin e buxhetit të vendit; zgjidhjen e ngërçit institucional sa i përket Presidencës; dhe organizimin e zgjedhjeve të reja pas një viti, si rruga më e drejtë, më e matur dhe më shtetformuese për garantimin e stabilitetit politik, institucional dhe ekonomik të Republikës së Kosovës. Është me rëndësi të theksohet se Mehaj ka dëshmuar afërsi dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë dhe, si i tillë, ai gëzon vlerësim të jashtëzakonshëm si nga faktori vendor, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar. Po ashtu, Mehaj ka treguar se nuk ka interesa, qëllime apo ambicie personale politike, por vullnet të sinqertë për t’i shërbyer shtetit dhe interesit kombëtar. Kjo qasje e tij parimore bën që ai të respektohet nga të gjitha partitë politike dhe nga mbarë opinioni publik. Në përbërjen e kësaj Qeverie të unitetit kombëtar, emrat e ministrave duhet të ndahen në mënyrë të barabartë: 50% nga subjektet politike dhe 50% nga sfera akademike dhe profesorati universitar, duke siguruar profesionalizëm, ekuilibër dhe përfaqësim gjithëpërfshirës”, thuhet në komunikatë.













