Policia e Kosovës (PK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Mitrovicë-Jugu, ka arrestuar dy kirurugët Arsim Latifaj dhe Ekrem Sefiu, të dyshuar për korrupsion në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed”. Ndërsa, Isuf Zekaj, është në kërkim policor.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zyra për informimin e Policisë.
“Mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Mitrovicë-Jugu, ka arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Tutje, thuhet se do të merren të gjitha veprimet e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Sipas raportimit të “Gazetës Shneta”, tre kirurgët janë të përfshirë në një skandal të korrupsionit, ku dyshohet se kishin kërkuar para për të kryer operacione në këtë spital. Ky rast, ishte iniciuar nga gazetari Bujar Vitija në Policinë e Kosovës më 3 tetor të vitit të kaluar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.














