Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar tre persona në flagrancë në orët e vona të natës, nën dyshimin se kanë tentuar të eksploatojnë në mënyrë të paligjshme zhavorr në afërsi të lumit Drini i Bardhë. Gjatë aksionit janë sekuestruar një kamion dhe një eskavator.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe po hetohen për veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 338, si dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky rast vjen vetëm disa muaj pas një aksioni të gjerë të zhvilluar më 4 qershor 2025, gjatë të cilit u arrestuan 19 persona dhe u sekuestruan 40 mjete të ndryshme pune, me vlerë rreth 2 milionë euro, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Komunikata:
Arrestohen tre persona për degradim të mjedisit
Prizren, 17 Dhjetor 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me datë 04.06.2025 pati zhvilluar një aksion të suksesshëm kundër degradimit të mjedisi, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore. Ky aksion kishte si qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, ku janë arrestuar nëntëmbëdhjetë (19) persona dhe janë sekuestruar dyzet (40) mjete të kryerjes së veprës penale duke përfshirë: dhjetë (10) kamionë, pesëmbëdhjetë (15) eskavator, pesëmbëdhjetë (15) makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit ishte rreth 2 milionë Euro.
Megjithatë, më 17.12.2025 vetëm disa muaj pas këtij aksioni, ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit “Drini i Bardhë”. Lidhur me këtë rast është sekuestruar një (1) kamion dhe një (1) eskavator.
Personat e arrestuar, gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren apelon për angazhimin e të gjithëve në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme më të qëndrueshme.












