Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është ndaluar mbrëmjen e së shtunës në pikën kufitare Hani i Elezit, teksa tentonte të fuste në Kosovë 16,152 franga zvicerane në monedha të dyshuara si të falsifikuara.
Monedhat u gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të veturës Audi A2 që ai drejtonte.
Sipas Policisë dhe Doganës, janë sekuestruar gjithsej 8,076 monedha prej 2 frangash.
Prokurori për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe ka nisur procedurat për veprën penale “Falsifikim i parasë”./Reporteri
Komunikata e plotë:
Goditet krimi financiar në kufi, sekuestrohen mbi 16 mijë franga në monedha metalike, një person në pranga
Më datë 12.07.2025, rreth orës 21:15, në pikën kufitare Hani i Elezit – hyrje, është ndaluar për kontroll një veturë e tipit Audi A2, ngjyrë e gjelbër metalike, me targa të Republikës së Maqedonisë Veri (RMV), e cila drejtohej nga shtetasi i Maqedonisë së Veriut, me iniciale (S.Xh.) i lindur më 1981 në Shkup.
Pas kontrollit të rregullt në vijën e parë dhe evidentimit të dokumentacionit përkatës, automjeti është selektuar për kontroll të mëtejmë. Gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe policorë, nën ulëset e përparme të veturës janë gjetur qese plastike të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit, të mbushura me monedha metalike 2 franga zvicerane (CHF), të dyshuara si të falsifikuara.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore përfshirë ato të hetuesisë.
Pas inventarizimit paraprak, rezulton se janë sekuestruar gjithsej 8,076 monedha x 2 CHF = 16,152 CHF, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe është iniciuar rasti penal për “Falsifikim të parasë”.
Vetura si dhe monedhat e dyshuara janë sekuestruar, ndërsa rasti i është dorëzuar njësisë kompetente të hetimeve rajonale për procedura të mëtejme hetimore dhe procedurale.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, me fokus të veçantë ndaj veprave penale që cenojnë sistemin financiar dhe sigurinë publike.