Xhudistja kosovare Distria Krasniqi është në qendër të vëmendjes së sportit ballkanik, pasi është përzgjedhur në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë të Ballkanit për vitin 2025.
Kjo renditje prestigjioze publikohet nga Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA), e cila për herë të 52-të shpall më të dalluarit e sportit në rajon, përmes votave të agjencive të lajmeve nga 12 shtete të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
Distria bën pjesë në një grup elitar sportistësh botërorë dhe evropianë, mes tyre kampionë të mëdhenj dhe yje të NBA-së.
Nga gjithsej 47 sportistë të përfshirë në votim, ajo është renditur ndër dhjetë më të votuarit, duke konfirmuar statusin e saj si një nga sportistet më të suksesshme të rajonit. Fituesi i përgjithshëm do të shpallet më 16 shkurt në Sofje.
Viti 2025 ka qenë edhe një herë i jashtëzakonshëm për Distria Krasniqin.
Ajo fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Podgoricë më 23 prill dhe u shpall nënkampione bote më 13 qershor në Budapest.
Po ashtu, ajo arkëtoi medalje në çdo garë të madhe ku mori pjesë: bronz në Grand Slam të Parisit, argjend në Grand Prix të Austrisë, ari në Grand Prix të Zagrebit dhe bronz në Grand Slam të Abu Dabit.
Me dy medalje olimpike në karrierë, një të artë dhe një të argjendtë, Distria Krasniqi vazhdon të synojë majat, me objektiv të qartë Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.












