Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar artikullin e kryetarit të kuvendit, Dimal Bashës, ku më 2012 pretendonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u financua nga trafikantë të drogës dhe mafia shqiptare.
Gucati në një intervistë për GazetaBlic, thotë se ky është një gjest mjaft i ulët i Dimal Bashës, dhe shton se kërkim falja e tij nuk vlen fare pasi që ai sipas tij është duke gënjyer.
“Është gjest i ulët i Dimal Bashës, UÇK kurr nuk është formuar mbi bazën e një trafikimi të drogës apo dilerëve të drogës sic e quan ai. Dimal Basha ka kërku falje, por ajo kërkim falje nuk vlen fare, ai është duke gënjyer se ai e ka ditë shumë mirë se çka ka shkru se thotë se kam lexu atë artikull, se kam pa, si mund të jetë kjo kur është bashkëautor i atij punimi shkencor dhe del para opinioni dhe para mediave dhe thotë se nuk e kam lexu dhe të jep përshtypje se është duke gënjye”, tha ai.
Tutje ai thotë se Basha duhet të largohet nga politika, ku shton se është mirë të jap dorëheqje dhe të mos jetë më kryetar i parlamentit, ai thekson se Dimal Basha nuk i ka fyer vetëm veteranët por edhe dëshmorët.
“Dimal Basha është mirë të largohet nga politika, Dimal Basha është mirë të jap dorëheqje nga paralamenti mos të jetë më kryetar, me gjestin e fundit Basha nuk i ka fyer vetëm veteranët por edhe dëshmorët, se ai po flet për vitet e 90, vitet e 90 pjesa dërrmuese e dëshmorëve kanë qenë gjallë, përjashtim Zahir Pajaziti që ka qenë i vrame, dhe disa të tjerë tjerët kanë qenë gjallë, ai të gjithë po i fyen, strukturën e UÇK të viteve të 90 ai po e fyen që gjoja kanë bashkëpunuar me diller të drogës”, u shpreh ai.
Gucati thotë se preket nga shqiptaret tanë që e kanë trupin në Kosovë e kokën në Serbi, ku në fund me këtë ai ironizon me kryetarin e Kuvendit duke thënë se “poget Basha e ka kokën në Serbi”.
“Ne nuk kemi të drejtë të ankohemi në dikë të huaj, kur neve i joni na fyen dhe na shan, unë nuk idhnohem në Serbinë se Serbinë e kam armik, unë idhnohem në Dimal Bashën, idhnohna me shqiptarët tonë që e kanë trupin në Kosovë e kokën në Serbi, e Dimal Basha poget e ka kokën në Serbi”, theksoi ai.
Ai shton se përkrahja e Kurtit dhe antarëve të tjerë të partisë ndaj Dimal Bashës është turpi më i madh, ku shton se shumica dërrmuese e Lëvizjes Vetëvendosje mendojnë njësoj si ai
“Ky është turpi më i madhi kur Albin Kurti në krye shokët e vet, me klikën e vet e mbron një të padrejtë, që Dimal Basha e ka shkru atëherë edhe Kurti është bashkëpunëtor i tij. Albin Kurti kur e përkrah Dimal Bashën dhe ata kreret e LVV që e përkrahin edhe ata janë si Dimal Basha, nuk kanë dallim asnjë prej tyre, ndonjë aty këtu dallon sepse edhe aty ka njerëz të mirë por për mua shumica në Lëvizjen Vetëvendosje mendojnë njësoj si Dimal Basha”, përfundoi Gucati për GazetaBlic.