Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Asi i BE dhe status quo e Serbisë për dialogun me Kosovën

19/05/2025 - 11:54
në Opinione
A A
Asi i BE dhe status quo e Serbisë për dialogun me Kosovën
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Shkruan: Ben Andoni

Kosova e përfaqësuar nga Presidentja Vjosa Osmani ka marrë mesazhet më të drejtpërdrejta për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Samitin e Tiranës. Në të njëjtin aktivitet, Serbia me regjistër tjetër për integrimin e sfidoi hapur BE-në dhe e ka dribluar lehtë mu në Tiranë. Për ironi, Kosova me sovranizmin cinik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mban ende plot 150 milionë euro të BE-së mbi kurriz si masa shtrënguese. Të mendosh se Serbia jo vetëm e snobon, por edhe e sfidon BE-në, nga mosdorëzimi ende i kriminelit Raidoçiq apo vendimi i presidentit Vuçiq, që bëri me shkuarjen në Moskë në paradën kushtuar përvjetorit të Fitores mbi Fashizmin, atëherë e kupton se diçka vërtetë nuk shkon më me dialogun.

“Më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, apeloi Osmani në samitin njëditor të Komunitetit Politik Evropian, ku shqetësimi nuk ishte fare për Kosovën.

Çfarë mbeti për Kosovën?! Asgjë. Veç durimit dhe mbi të gjitha mundësinë, që klasa politike të konstituojë parlamentin një orë e më parë dhe të ketë një qasje shumë më pragmatike. Kjo e fundit u kuptua nga PDK-ja dhe LDK-ja, që bënë fushatë për nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët perëndimorë dhe apelin ndaj ankthit të tyre për izolimin e Kosovës në një moment të rrezikshëm gjeopolitik. Ajo që shpresohet është që nëse zoti Kurti arrin ta bëjë qeverinë, duhet t’i shmanget patetizmit nacionalist dhe të rikthejë realisht Brukselin dhe Uashingtonin në interes të Kosovës, që tashmë duket e largët.

“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun Kosovë-Serbi. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë. Ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo përballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhme të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beogradin”, – tha Macron në Tiranë, duke iu përgjigjur indirekt ankesave të presidentes Kosovare, por edhe atë që dihet: Është humbur shumë kohë.

Por ky prononcim i kujdesshëm i presidentit francez, edhe pse i matur, tregon se për Kosovën interesi s’është më si më parë dhe koha e dedikuar nuk do të jetë njësoj. Sfida e Ukrainës, rritja e nacionalizmave, përçarjet dhe marrëdhëniet e reja pas ardhjes së z. Trump po e trandin vëmendjen e Brukselit, paçka se Kosova është zyrtarisht brenda agjendave evropiane. Parlamenti Evropian e njeh rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së si kandidate potenciale për anëtarësim dhe në agjendë për zgjerimin e ardhshëm. Madje, Bashkimi Evropian mbështet aktivisht perspektivën evropiane të Kosovës dhe ofron këshilla dhe mbështetje për procesin e saj të anëtarësimit, duke përfshirë Agjendën e Reformave Evropiane. Zyrtarisht, BE-ja është gjithashtu e përfshirë në mënyrë aktive në lehtësimin e Dialogut Beograd-Prishtinë, i cili është vendimtar për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Veçse, nëse Kosova është e dedikuar ndaj Evropës, madje sipas referencave të vetë Komisionit, kurse Serbia e sfidon hapur BE-në dhe po hap kapitull pas kapitulli projeksionet evropiane, çfarë lloj integrimi duhet të kuptohet?! Çfarë kuptimi ka sensi demokratik dhe standardet e integrimit kur Kosova tregon me rrugëtimin e saj dhe me zgjedhjet e rregullta, se në praktikë po vepron konform kësaj politike, kurse Serbia me zgjedhjet, që nuk i përshëndeti pjesa më e madhe e vendeve të BE-së dhe me trazirat në vend është larg?!

Media e kaloi ftohtë, por pak ditë më parë dhe për të dytin vit radhazi, Kosova nuk arriti të përmbyllë pengesat procedurale në mënyrë që të siguronte miratimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për anëtarësim në organizatë. Dhe, më hidhur akoma kërkesa e Kosovës as nuk ishte fare në agjendën e takimit ministror. Fakt që për Beogradin zyrtar, konsiderohet i duhuri (!) sepse vetëm shtetet mund të jenë anëtarë të Këshillit të Evropës dhe Kosova nuk ka një status të tillë në Kombet e Bashkuara. Të mos harrohet se Serbia ka angazhim që nuk duhet ta pengojë Kosovën në integrimet e saj ndërkombëtare!

Ajo që mbron Serbia edhe pas verdiktit propavarësi të Kosovës nga Gjykata e Drejtësisë së Hagës ka një argument që në dukje është i qartë: Nëse do njihet Kosova si shtet të pavarur, atëherë duhet të njihet e drejta për të pasur shtetin e tyre për çdo pakicë në botë! Kjo ishte arsyeja që autoritetet e Kosovës bënë një veprim të mençëm, kur iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përgjigjen e saj, ajo e publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 si opinion këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Fjala e Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada mes tjerash ishte se: “Shpallja e Pavarë sisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Kosova e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 pa shkelur të drejtën ndërkombëtare, në të njëjtën mënyrë që ndoqi çdo vend që ka shpallur pavarësinë e saj, si shprehje e vullnetit të qytetarëve të saj. Kolaterali i këtij vendimi ishte numri i frikshëm i 10,000 civilëve të vrarë, 800,000 të zhvendosurve me forcë vetëm në vitin 1999, ndaj edhe reagimi i forcave ndërkombëtare nuk pati rezistencë.

Paradoksalisht jemi në vitin 2025 dhe Kosova mban mbi shpatulla masa shtrënguese, besimin e Serbisë se Kosova nuk do të jetë asnjëherë shtet dhe përballë vetes një dialog që s’ka më as trase të sigurt. Premtimi i BE-së për anëtarësim nuk është më ndonjë grishje, pasi disa shtete anëtare nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa qasja “neutrale ndaj statusit” e BE-së ndaj Kosovës po i pengon hapur perspektivat e saj dhe po ia mundëson paq Serbisë të ruaja status quo-në. Ka raste që Kosova ende paraqitet brenda hartës së Republikës së Serbisë. Në ditët e ardhshme shefja e ri e punëve të jashtme ish-kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas do të jetë në Prishtinë, kurse i dërguar i ri special për normalizimin e Kosovës dhe Serbisë në diplomatin danez Peter Sørensen, një specialist rajonal do të nisin ecejaket Beograd-Prishtinë. Problemi i parë është se kështu si është duke u zhvilluar nuk mund të riniset dialogu KosovëSerbi. Asi nën mëngë?! E kemi diçka për palët, mëton Kallas, por deri tani thjesht po e shtojnë agoninë e pritjes në Prishtinë dhe shtyrjen e dialogut në kalenda në Beograd. Që do të thotë se tashmë mund të vijohet me politikën e kërbaçit, po për këtë duhet një Evropë e bashkuar dhe jo kaq e ndarë. Ndaj Asi, duket më shumë si marifet prestigjiatori sesa një realitet pragmatik për status quo-në që Serbia e ruan fort me Prishtinën… edhe me ndihmën e Brukselit të paqartë. (Homo Albanicus)

JU REKOMANDOJMË

Kimete Berisha: Alkimia malore e Bedri Hamzës, pluhurin e kthen në premtim
Opinione

Kimete Berisha: Alkimia malore e Bedri Hamzës, pluhurin e kthen në premtim

14/12/2025 - 21:20
Arianit Koci vendos “sfidën e 10 mijë pëlqimeve”: Nëse arrihen deri në mëngjes, hyn në politikë
Opinione

Kosova në krizë ekonomike: Koha për t’u përballur me të vërtetën

08/12/2025 - 11:35
Për dy vëllezërit e vetëvrarë: Arbnor dhe Astrit Dehari
Opinione

VLEN ose zbrazëtia e një bashkimi pa projekt

02/12/2025 - 15:09
UÇK-ja- Ftesë për Respekt dhe Kujtesë: kush ishte (dhe mbetet) UÇK?
Opinione

UÇK-ja- Ftesë për Respekt dhe Kujtesë: kush ishte (dhe mbetet) UÇK?

30/11/2025 - 15:11
Fertiliteti dhe infertiliteti, shkaqet, diagnostika dhe trajtimi
Opinione

Fertiliteti dhe infertiliteti, shkaqet, diagnostika dhe trajtimi

28/11/2025 - 19:28
Situata aktuale e luftës në Ukrainë dhe lëvizjet politike ndërkombëtare, një analizë e thelluar
Opinione

Situata aktuale e luftës në Ukrainë dhe lëvizjet politike ndërkombëtare, një analizë e thelluar

26/11/2025 - 15:29

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Aksion i Policisë në Pejë, kapen rreth 1 kilogram drogë e 2 armë, i dyshuari në arrati po kërkohet nga policia

    Ky është zyrtari i ATK-së i arrestuar në flagrancë në aksionin kundër korrupsionit

    105 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26
  • Këta janë të arrestuarit për dallavere me shpronësime (Emrat)

    104 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26
  • Spahiu kritik me Ramën: S’shkohet gruan e huaj me kapë për qafe, e turpshme – Si u ndje zotëria i parë?

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Konkursi i shpallur nga ish drejtori Slamniku anulohet nga qeverisja e re në Fushë Kosovë – dyshohet për shkelje ligjore

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Qeveria miraton vendime preliminare për shpronësime në disa projekte infrastrukturore

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë